Në një takim me punonjësit e Kryeministrisë, kreu i qeverisë Edi Rama u ka shpjeguar atyre se sa do t’u shkojë paga pas hyrjes në fuqi të rritjes së rrogave minimale dhe asaj mesatare.
Rritja e pagës mesatare do të bëhet në dy etapa gjatë dy viteve të ardhshme, dhe sipas Kryeministrit, synimi është që të shkojë në vlerën e 900 Eurove.
“Rritja e pagave do të bëhet një rritje me dy hapa në harkun e një viti. Pra do të fillojmë tani dhe pastaj pjesën tjetër do ta shtojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe pastaj do vazhdojmë”.
Për ta ilustruar këtë, kreu i qeverisë Edi Rama zbuloi sa do të shkojnë pagat e disa prej punonjësve të Kryeministrisë pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet në sektorin e pagave.
“Ndërkohë që për shkak të pagës minimale që e kemi rritur, korrektimet do të fillojnë nga lart poshtë dhe unë po filloj nga poshtë lart për të thënë që si do shkojë paga, sa do jetë paga e Luljetës dhe e Nexhmijes në fund. Paga e Luljetës do të shkojë 135 mijë Lekë dhe paga e Nexhmijes do të shkojë 125 mijë Lekë. Pastaj Zenajda që është përgjegjëse sektori do t’i shkojë paga 158 mijë Lekë, pastaj Vjollca që është përsëri përgjegjëse sektori do ta ketë 149 mijë Lekë. Pastaj Rezari 218 mijë Lekë dhe pastaj Monika 249 mijë Lekë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se duke filluar nga muaji Prill, rroga minimale do të rritet në 40 mijë Lekë të reja.