Sali Berisha mbylli fushatën në Durrës, ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” garon me Igli Carën.
Në fjalën e tij, Berisha tha se Durrësi ka vendosur të ndryshojë më 14 Maj.
“Ky miting, ky entuziazëm i njerëzve të lirë, i njerëzve me ideale për Durrësin dhe Shqipërinë, dëshmon se Durrësi ka vendosur ndryshimin, se Durrësi me 14 maj do të votojë njërin nga bijtë e vet më të shquar, njërin nga qytetarët më shembullorë, njërin nga politikanët që do më shumë qytetarët e këtij qyteti, banorët e këtij rrethi, Igli Carën”, u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se Durrësi e ka nevojë jetike shpëtimin, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se synon të bëhet miliarder si Alabbari, por sipas tij, “Durrësi do të mbetet gjithmonë syri i perëndimit për kombin shqiptar”.
“Durrësi, qyteti i lavdisë historike, qyteti port e kombit drejt perëndimit, ka nevojë jetike ndryshimin. Durrësi ka nevojë jetike shpëtimin nga kthetrat e një mafie e cila është e pashpirt ndaj qytetarëve të Durrësit, e pashpirt ndaj trashëgimisë së Durrësit, e pashpirt ndaj të ardhmes së durrsakëve. 14 maji do të jetë fundi i saj. Durrësi kjo trashëgimi madhështore e qytetërimeve, e kombit, njohu këto vite të qeverisjes mafioze, shkatërrimet më të mëdha se sa nga luftërat, se sa nga tërmetet, se sa nga cunamet. Mbi monumentet e Durrësit u vërsul me egërsi të pamëshirë mafias Rama-Dako-Sako dhe me radhë. Durrësi që me portin e vet begaton qytetin dhe vendin, po pëson pushtimin më të egër. 2700 vite asnjë pushtues nuk ja preku portin Durrësit, nuk ja preku aortën, nuk ja preku rrugën kryesore të frymëmarrjes, portën e kombit drejt perëndimit. Tani Edi Rama për të realizuar ëndrrën e tij arabe prej miliarderi do të na e shndërrojë Durrësin në Dubai City. Unë nuk jam racist, kam respekt për kombet dhe qytetërimet, por ne kemi një testament. Ata të cilët krijuan doktrinën tonë kombëtare, shkrojtën se, për ne dielli lind jo nga lindja, por nga perëndimi. Ndaj dhe Durrësi do të mbetet gjithmonë syri i perëndimit për kombin shqiptar. Edi Rama me një babëzi të papërmbajtur mendon të realizojë ëndrrën e tij, të bëhet miliarder si Alabari duke plaçkitur 800 mijë metër katrorë truall, tokë të durrsakëve. Kurrë nuk do të lejohet”, tha Berisha.