Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim me rastin 24 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, çka i dha fund luftës me Serbinë.
Kreu i qeverisë thotë se hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve se pa aleatët strategjikë nuk do të kishte as Republikë të Kosovës e as liri e demokraci për shqiptarët atje.
Prandaj me rastin e kësaj dite, ai bën thirrje për reflektim të thellë dhe për ta nxjerrë Kosovën nga “qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët”. Sipas Ramës, Kosova duhet të dalë nga ky qorrsokak me dialog, me ide konkrete dhe me miq të mirë e jo me policë, propagandë apo keqtrajtim të aleatëve.
“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!
Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, shkruan Rama.
24 vjet më parë në Kosovë hyri NATO çka i dha fund luftës dhe përpjekjes së shqiptarëve për liri. Më 12 Qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër ushtrisë serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.
E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 Qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’