Rama me trupin diplomatik: “Mandati i tretë i hidhur, më bëri të përulur”. Flet në mënyrë të koduar për Metën dhe Berishën: “Figurat e së shkuarës guxojnë të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë”
“Është jetike të mos tërhiqemi në izolim. Shqipëria e di shumë mirë se cila është kostoja e izolimit”. Këtë mesazh përcolli kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë takimit tradicional të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, ndërsa foli për sfidat që e presin qeverisjen e tij në këtë mandat të tretë.
“Sfidat me të cilat përballemi ndonjëherë duken shumë të mëdha. Vende të vogla apo të zhvilluara, perëndimorë apo lindorë, ndërkohë që merremi me një krizë dhe një krizë tjetër na del përballë, bëhet themelore të mos e lëmë gjendjen e emergjencës të pushtojnë mendjet tona. Është jetike të mos tërhiqemi në izolim. Shqipëria e di shumë mirë se cila është kostoja e izolimit. Asnjë vend nuk e menaxhon dot vetëm një situatë si kjo. Jemi të gjithë rishtarë përpara këtyre sfidave dhe mund të mësojmë nga sukseset dhe dështimet. Pasojat, siç kemi mësuar janë emergjente, pasojat zgjasin në kohë. Por ndërkohë që përballemi me këto armiq të padukshëm nuk duhet të bëhemi të padukshëm për njëri-tjetrin”.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek Reforma në Drejtësi ku tha se është bërë në një angazhim të palëkundur duke marrë përsipër edhe kosto, ndërsa pati disa mesazhe të koduara për Sali Berishën dhe Ilir Mëtën, ndërsa theksoi se “figurat më të dyshimta të së shkuarës gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë”.
“Të marrim reformën në drejtësi. Bëmë gjithçka u desh për të nisur reformën e drejtësisë pas 25 vitesh dështim. E bëmë me një angazhim të palëkundur duke marrë përsipër të gjitha kostot në një mjedis armiqësor e herë-herë edhe të rrezikshëm politikisht, duke u përballur me kundërshti edhe brenda ish-koalicionit tonë. U premtuam njerëzve se sistemi i ri i drejtësisë që sjell drejtësi për të gjithë më në fund po vjen dhe unë e besoj fort që është kështu. Por duhet kohë, shumë më tepër kohë, se sa koha që fluturon në mënyrë të pamëshirshme e kësisoj ndërkohë rezultatet vijnë thjesht shumë ngadalë për njerëzit e këtij vendi, të cilët kanë pritur pafund që të jetojnë në një vend ku gjithkush është i barabartë përpara ligjit. Duhet durim, shumë më tepër se sa i ka mbetur këtij kombi, ndërkohë që figurat më të dyshimta të së shkuarës gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë. Të marrim luftën kundër korrupsionit. Kërkon vullnet politik dhe po, ne e kemi. Kërkon reforma në të gjitha fushat dhe po, i kemi ndërmarrë të gjitha këto. Kërkon modernizim dhe ne po punojmë pa pushim për këtë”, tha Rama.
Për kreun e qeverisë marrja e mandatit të tretë ishte sa e ëmbël po aq dhe e hidhur, por kjo sipas tij e bëri më të përulur.
“Mandati i tretë nuk më bëri të pamposhtur, por më të përulur. Fitorja ishte e ëmbël dhe e hidhur. Ndjeva se nuk kishim bërë mjaftueshëm dhe kundërshtari ende nuk shihet. Pas një fitore që më përndjek më shumë pafuqia e pushtetit për të ecur më shpejt, për modernizuar një shtet që humbi shumë nga diktatura, ndihem i sëkëlldisur”.
Duke shprehur vendosmërinë se do të japë gjithçka nga vetja, Rama e mbylli urimin: “Të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin. Jeta shkon shumë shpejt për ta cilësuar njëri-tjetrin si armiq”.