Në një fjalim të mbajtur përpara deputetëve të PS-së, kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste duhet që të kthejë fitoren e saj në fitore për Shqipërinë. Kreu i qeverisë ka deklaruar se shkarkimi i presidentit Ilir Meta është vendimi më i shpejtë që duhet marrë.
Rama ka thënë se Meta dhe partia e tij nuk do të kenë asnjë mundësi bashkëpunimi me mazhorancën e PS-së, teksa nuk i ka kursyer as akuzat ndaj tij.
“Me Ilir Metën dhe partinë e tij nuk ka e s’do ketë asnjë bashkëpunim. Do shkarkohet nga detyra. Një personazh grotesk që e turpëron shoqërinë, Shqipërinë me praninë e tij në krye të shtetit. Shkarkimi i Ilir Metës nuk është i gjithi në dorën tonë, por do bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta çminuar institucionin e Presidentit duke e votuar në bllok shkarkimin”, deklaroi Rama.
Ai tha se s’ka asnjë qëllim tjetër, përveç pozicionim në krah të shoqërisë. Për emrin e Presidentit të ri, ai tha se ndonëse është shumë herët PS do të konsultohet me PD për këtë çështje.
“Është shumë herët për të folur për zëvendësimin e tij, por në çdo rast qoftë para kohe, qoftë në kohë ne do konsultohemi me PD për emrin e presidentit të ri”, tha Rama.