Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të shtunë në Kukës se Ilir Meta u bë President me votat e tij. Kreu i qeverisë u shpreh se Meta kërkon sherr me dy palëve pasi do të përfitojë vetë.
Kreu i ekzekutivit i është kthyer pas kohës kur Meta u zgjodh President dhe tha se ka pasur rol në momentin e ngritjes së çadrës së opozitës përpara kryeministrisë.
Rama tha se Meta është kthyer në lolo dhe se “njerëzit edhe i lëshojnë pëllumbat”.
“Çfarë kërkon Ilir Meta nga Shqipëria që nuk rri dot një ditë rehat dhe nuk rri dot pa nxitur sherr? Kur zihen dy vetë fiton një i tretë thotë populli dhe kjo është deviza e Ilir Metës. Fut në sherr dy dhe ti të dalësh i treti që bën paqe.
Edhe unë, edhe ne kemi dhënë votën, por ishte me votat e tij në parlament Ilir Meta dhe pa votat e tij nuk bëhej presidenti, ashtu sikur nuk gjenim dikë tjetër, ashtu si në atë moment donin t’ia jepnim opozitës.
E di rolin e Metës edhe tek çadra, hidh gurin e fshih dorën. Ishte e qartë që Ilir Meta e kishte vendosur që të hidhej prapë në anën tjetër dhe ne i dhamë një President opozitës, por President, jo lolo. Fakti që Meta është kthyer në lolo nuk do të thotë që ka qenë kështu edhe në të shkuarën. Njerëzit edhe rrjedhin edhe lajthisin, edhe i lëshojnë pëllumbat kur i thonë, nuk mund të parashikohet kjo. Më thoni, për çfarë arsye duhet votuar më për partinë e Ilir Metës”, tha Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen një ditë pas deklaratave të forta të Presidentit Meta në emisionin “Zonë e Lirë”.
Kreu i shtetit i tha “qen bir qeni” kryeministrit pasi ky i fundit ka deklaruar: “çfarë kërkon Ilir Meta të bëhet mbret apo të bjerë dëshmor”? Ai i bëri thirrje Ramës që të mos provokojë më trazira, sipas tij për llogari të Sorosit dhe Serbisë.