Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje akuzave të Lulzim Bashës për pandeminë. Në një postim në Twitter Rama hedh poshtë pretendimet e Bashës se mund ta kishte parandaluar valën e dytë të Covid, sa kohë sipas tij, kreu i opozitës nuk ndalon dot as aleaten e tij Monika Kryemadhi, në fushatën e saj për përhapjen e virusit.
“Lulëzim Basha është kapur pas Covidit si i mbyturi pas fijes së barit dhe pretendon se ai do ta kishte ndaluar valën e dytë, ndërkohë që nuk ndalon dot as aleaten e tij në fushatën e saj për përhapjen e Covidit! Mirë u çmendën po pse të gjithë njëherësh, thoshte Shvjeku i shkretë!“, shkruan Rama.
Më herët, Kryetari i demokratëve përmes një postimi në rrjetet sociale shkruajti se nëse do ishin dëgjuar propozimet e opozitës, qeveria do të kishte marrë masat e duhura. Ai tha se sot më shumë se kurrë duhen rritur testimet dhe fondet për të ndihmuar të sëmurët, shëndetësinë dhe ekonominë.