Kryeministri Edi Rama u rikthye në Himarë për të ndarë certifikatën për 789 të tjerë tituj pronësie në zonën e Dhërmiut.
Rama akuzoi ata që sipas tij i fryjnë gjuhës së përçarjes, se në Himarë ca janë të Tiranës dhe ca të Athinës.
“Unë kurrë nuk e kam imagjinuar se do ta jetoja ditën kur Himarën do ta ndanin disa njerëz në “tanët dhe të atyre”. Himarjotët kanë qenë historikisht himarjotë në radhë të parë. Si na qenka nga kjo tani që Himara na qenka, ca qenkan me Tiranën e ca qenkan me Athinën. Çfarë hyjnë këto këtu? Këto janë pjesë e lodrave politike. Këto janë pjesë e lodrave politike me mendjet dhe me zemrat e njerëzve”.
Njërin nga ata që përmendi me emër ishte kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
“Nuk mund ta ndash historinë e Himarës dhe ta ndash sipas qejfit të një copë e të thuash jo kjo është kështu, jo është një histori, është një histori dhe ajo që e simbolizon këtë që po them unë është fytyra e Vangjel Dules. Ç’punë ka Vangjel Dulja në Himarë, përveçse si një qytetar i Republikës së Shqipërisë, si çdokush tjetër dhe me çfarë të drejte, me cilën të drejtë i jep gojës për të nxitur përçarje dhe për të folur absurditete dhe për të folur marrëzira, të cilat nuk kanë lidhje fare as me jetën e përditshme të himarjotëve, as me jetën e përditshme të shqiptarëve, as me jetën e përditshme të grekëve, as me Shqipërinë, kanë lidhje vetëm me synimet e disa njerëzve shumë të vegjël që kanë interesa përçarjeje”.
Suksesin e mbyllje së procesit të regjistrimit të pronave, ia atribuoi prefektit të Himarës, Vangjel Tavo.
“Ka vetëm një fjalë që duhet ta mbani mend, se Vangjel për Vangjel vajti kjo punë. Një nga arsyet pse ky proces po përmbyllet dhe po e them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejt është këmbëngulja dhe ajo mania gjirokastrite, gjirokastritet e dini ju si janë, thërrimen e fundit nuk e lëmë pa e numëruar, e Vangjelit që kam këtu. Kështu që, doni Vangjel për punë, ja ku e keni!”
Nuk foli me emra, por tha se nuk shqetësohej për arrestimet e zyrtarëve shtetërorë.
“Minj nëpër zyrat e shtetit, patjetër, por edhe kjo, që kur kapen minjtë, të vësh kujën, që “o po bëhet nami”. Ç’po bëhet nami? Shyqyr që po kapen, më shumë të kapen, për këtë punë kemi bërë gjithë këtë përpjekje dhe për këtë punë përpiqemi. Po minjtë i kap çarku. Prandaj, kemi ngritur e do ngremë edhe më shumë çarqe për të kapur minj. Por nuk mund të rrimë të tërë të të rrokanisemiditë-natë, se u kapën ca minj aty, u kapën edhe ca minj këtu, tani duhet të ngrihemi të tërë e të merremi t’i biem njëri-tjetrin”.