Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e Kuvendit, në seancën plenare të kësaj të mërkure, ndërkohë që jashtë Parlamentit opozita vijonte protestën e paralajmëruar, Rama gjeti rastin të ironizonte opozitën e drejtuar nga Lulzim Basha.
Duke sjellë në kujtesë se socialistët e drejtuar prej tij arritën të mposhtnin Sali Berishën, që kishte të gjithë shtetin pas vetes dhe në funksion të zgjedhjeve, e me emra të rëndësishëm si Jozefina Topalli, Rama tha se është e pamundur që të mos mposhtin Bashën me emrat që ka sot në krah të tij.
“Ne mundëm Saliun në vitin 2009-n, e sigurisht edhe në 2013-n. Saliun që kishte të gjithë shtetin pas vetes. Mundëm Saliun me gjithë Jozefinë e të tjerë, e të mos mundim dot Lulin me Gaz Salianjin dhe Ervin Dumën? Kjo nuk është e mundur. Tani, ata dolën atje jashtë, me idenë se do të bënin që ndërkombëtarët të lodheshin dhe do të hidhnin vështrimin nga ta. Por më e keqja është se janë përpjekur të delegjitimojnë edhe këta të tjerët që kanë hyrë këtu për t’i zëvendësuar. Por nuk kanë për t’ia arritur të kthehen këtu përmes një rruge ekstraligjore dhe përmes asnjë lloj dialogu që çon në një pazar të kësaj natyre”, deklaroi Rama.