Kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat që e etiketojnë Partinë Socialiste si “partia që punon për 10 veta”.
Duke folur në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama nxori shifrat, që sipas tij, biznesmenët e mëdhenj të vendit kanë paguar taksa 3 herë më shumë gjatë qeverisjes socialiste.
“Ne na thonë që jemi partia e të pasurve, jemi partia e atyre që punojnë për 10 veta. Por 10 vetat sa kanë paguar para se të vinim ne për të ndërtuar, për të financuar shëndetësinë, arsimin? 3 herë më shumë, janë plot 3 herë më shumë para që i ka marrë shteti dhe nuk i kanë marrë familjet e tyre. 400 milionë Dollarë më shumë që të mëdhenjtë, 100 më të mëdhenjtë i kanë derdhur në arkën e shtetit. Thonë që këto shifra vijnë si rezultat kanë marrë më shumë tendera. E pavërtetë. Krejtësisht e pavërtetë. Thonë që taksa e sheshtë do të stimulojë punësimin. Urdhëro, 132 mijë të punësuar më shumë. Fakt, nuk është opinion”, deklaroi Rama ndër të tjera.