Kryesore Rama: Ndërtesat e paligjshme do të prishen ose sekuestrohen për qëllime sociale

Rama: Ndërtesat e paligjshme do të prishen ose sekuestrohen për qëllime sociale

Gjatë seancës së sotme parlamentare u diskutua rreth projektligjit “për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse do të ishin zbatuar projektet e miratuara nga bashkitë gjatë këtyre 30 viteve do të kishim sot qytete shumë më cilësorë në pikëpamje të urbanistikës dhe arkitekturës.

Sipas Ramës, duke marrë shembull tërmetin në Durrës, godinat u shembën ose u dëmtuan rëndë për shkak se ndërtuesit nuk kanë respektuar parametrat e ndërtimit. Sipas kreut të qeverisë, duhet të marrin përgjegjësi të gjitha hallkat e zinxhirit në një ndërtim, që nga arkitekti e deri tek zhvilluesi.

“Ajo që ndodhi në Durrës është historia e godinave që i përkasin kësaj kategorie që po flas unë. Nuk janë shembur në Durrës godina që kanë respektuar parametrat e ndërtimit. Janë shembur godina që në leje ndërtimi janë 3 kate dhe u bënë 8 kate. Ato morën jetë njerëzish. Nuk mund të funksionojë dot jashtë përgjegjësisë penale ky sistem që ka sjellë gjunjëzimin e shtetit në të gjitha rastet kur ka tentuar të marrë masa sepse zhvilluesit pasi kanë shkelur lejet e ndërtimit dhe janë vënë përpara një kontrolli dhe vendimi inspektoriati përkatës për shembjen kanë vajtur në gjykatë dhe me gjykatë kanë gjunjëzuar shtetin duke marrë edhe legalizimin e paligjshëm. Pas këtij ligji, duhet të kalojmë normat e reja në Kodin penal që ngarkojnë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë të gjithë zinxhirin. Ti bëhet e qartë arkitektit që kur zhvilluesi cënon veprën e tij nuk mund të bashkëpunojë më me zhvilluesin, duhet të njoftojë shtetin. Po kështu konstruktori, kolaudatori, supervizori dhe padiskutim edhe zhvilluesi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë paralajmëroi ndërtuesit që shkelin lejen e ndërtimit në një godinë se ajo do të shpallet komplet e paligjshme. Sipas Ramës, kjo ndërtesë nuk duhet të jetë më pronë e ndërtuesit, por duhet shembur ose sekuestrohet për qëllime sociale.

“Nuk mundet dot që sistemi ta mbrojë ndërtuesin që zhvillon jashtë lejes së ndërtimit dhe shet metra katrorë të paligjshëm duke vendosur në ligj një konfuzion total mbi çfarë duhet bërë me këtë ndërtesë. Nuk mund të ketë ndërtesa që janë gjysmë të ligjshme, gjysmë të paligjshme. Momentin që ti ke marrë leje për 5 kate dhe bën gjashtë ndërtesa është komplet e paligjshme. Nuk mund të ketë që të prishet kati i gjashtë sepse do të thotë që të hysh në një histori që nga pikëpamja inxhinierike dhe e kohës e stërmundon shtetin, ndërkohë që ndërtuesit nuk i hyn asnjë gjë në këmbë. Prandaj ajo që duhet bërë taksative është që çdo volum i ndërtuar për qëllim fitimi, pra flasim për godina me shumë njësi, nuk flasim për shtëpitë e njerëzve në fshat, duhen ose shembur, ose sekuestruar për qëllime sociale. Nuk mund të jetë më pronë e atyre që e kanë ndërtuar”, tha Rama.