Nga Dritan Hila
Protokolli turk është ndër më të kujdesshmit në botë. Me një traditë ku simbolet janë sa ceremoniale aq edhe politike, hyn në institucionet e Republikës që ka një vazhdimësi shekullore; ndër të paktat ku trashëgimia otomane vazhdon në atë turke. Është një institucion nga i cili sulltanët dhe më vonë presidentët turq, kanë dhënë mesazhe. Kjo ndodhi edhe sot ku Erdogan nuk e priti kryeministrin shqiptar me veshje sportive dhe as që t’i jepte makinës vetë. Me një qasje perandorake në detaje, ku nuk mungonin simbolet historike të luftëtarëve otomanë në shekuj, kalorësia ceremoniale dhe kabineti i Erdogan, Edi Rama është pritur nga presidenti turk në rezidencën e tij, ku mesazhi i shprehur mes fjalëve është se “ju konsiderojmë aleatë dhe jo vasalë”, ndërsa me akte diplomatike me themelimin e Këshillit të Bashkëpunimit.
Gjatë takimit Erdogan u kujdes të theksonte se vendi i tij, është investitori më i madh në Shqipëri. Ishte një deklaratë që hedh poshtë thashethemnajën që Turqia sjell vetëm xhami, por edhe tregon se ambasada turke në Tiranë është e kujdesshme për humorin e popullsisë shqiptare. Premtimi për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit përpara datës 25 prill, ishte shumë elektorale. Ishte një deklaratë që tregonte preferencën e Turqisë në rreshtimet politike shqiptare. Kjo është edhe pika që ka tingëlluar melodi në veshët e Edi Ramës.
Ndryshe nga sa mendohet, Ankaraja ashtu sikundër Athina kanë ndikim në disa rreshtime të elektoratit shqiptar. Nuk është shumë, por aq sa mjafton që të zhvendosë agën e peshores mes fituesit dhe humbësit. Dhe këtë Rama e di mirë, ndaj është kujdesur që sidomos në prag fushatash elektorale, të ecë në teh të ekuilibrave diplomatikë mes përplasjes greko-turke.
Aq më tepër e sikletshme bëhet kjo në momentin kur në mes të një përplasjeje greko-turke, Tirana ndërmori një hap i cili është në kundërshtim me doktrinën e Ankarasë sa i takon zgjerimit detar të Greqisë dhe qëndrimit ndaj ishujve. Ankaraja kundërshton qoftë zgjerimin me 12 milje; përfshirjen e ishujve në vijën bazë dhe zgjidhjen nëpërmjet gjykatave. Por mesa duket Erdogan e ka mirëkuptuar sikletin e aleatit të tij në Tiranë dhe ka zgjedhur që në përplasjen mes dy elefantëve, Ramën ta kursejë nga shqelmat që mund të hajë. Turqia është aq e madhe sa mund të sfidojë precedentët e gjykatave, pa pasur nevojë për mbështetjen e Shqipërisë. Për sytë e Erdogan, Rama me zigzaget e vogla është më i pranueshëm se Sali Berisha, të cilit nuk ia fal votën kundër Palestinës në OKB. Ndërsa Metën dhe Bashën mesa duket nuk i llogarit. Erdogan është një realpolitiker i pamëshirshëm në kalkulimet e tij.
Është e kotë të thuhet që kjo vizitë nuk kishte prapavijë elektorale. Rama jeton vetëm për fushatë dhe po lufton për çdo votë. Tani ai ka ndezur motorët dhe ka vënë në punë gjithë makinerinë e shtetit. Dhe ai e di shumë mirë se në elektoratin shqiptar ndikon Ankaraja dhe Athina për shkak të trashëgimisë shpirtërore, dhe Amerika sepse të bën gropën. Mbase edhe BE-ja se të heq vizat. Por në sytë e Evropës, krahasuar me Orban dhe Kazinski, Rama duket lule. Fundja nuk iu ka sjellë asnjë problem./dritare.net