Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi një takim në Devoll ku kërkoi mbështetjen për kandidatin socialist për këtë bashki, Eduart Duron.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, është vendosur vetëm për të krijuar konflikt mes bashkisë dhe qeverisë.
“Më mjafton se kush e sjell për dhëndër këtu, që t’iu them mos fusni sherrin në bashki, mos fusni në qytet, mos fusni sherrin në komunitet, sepse është pak mbase, por shumë e sigurt, nuk e sjellin këtu për punë, por e sjellin për sherr. E sjellin për ta kthyer bashkinë në një kështjellë lufte me qeverinë, e sjellin që me ato fonde që ne japim, ca i çojnë në shtëpi, ca t’i marrin për të paguar autobusë e për të nisur njerëz në Tiranë, që të bërtasin atje Rama ik, ka 10 vjet që bërtasin, unë vetëm vij, nuk iki”, tha Rama.
Më tej ai theksoi se “edhe këtu kujtoj një periudhë që kishit një kryetar bashkie që ishte i atyre që kthehej vetëm mbrapa, jemi përpjekur ta mbështesim, kemi bërë edhe ndonjë gjë me të, por vështirë shumë, humbje e madhe kohe, humbje e madhe e energjisë, njerëz të çuditshëm. Ju lutem shumë, mos e bëni gabimin që të humbisni edhe 4 vite të tjera, se nuk ka kohë për të humbur. Duhet të shkojmë vërtet vetëm përpara”.