Nga Italia ku sot zhvillon vizitë zyrtare, Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar homologut të tij Mario Draghi që shteti italian të përshpejtojë procesin e njohjes së pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në Itali.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama tha se për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali janë bërë shumë, por ka theksuar që të mos vonohet procedura për njohjen e pensioneve.
“Unë munda t’i kërkoja Kryeministrit edhe një përshpejtim të procesit të njohjes së pensioneve të shqiptarëve të cilët jetojnë dhe punojnë prej vitesh në shtetin italian. Ka shumë që janë bërë. Italia ka qenë protagoniste në të gjithë këtë periudhën e këtij kalimi të dhimshëm jo të thjeshtë nga një regjim i mbyllur diktatorial. Nuk do të jetë asnjëherë e mundur për ne që ta shprehim gjithë mirënjohjen dhe që asnjëherë nuk e kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Shqipërisë, si të së djathtës, majtës apo të grumbullimeve të mëdha të qeverive. Ne tani mund të bëjmë shumë më tepër se sot nuk janë vetëm shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, por janë edhe sipërmarrësit italianë që jetojnë në Shqipëri. Italia është një vend i madh, i fortë ekonomisht, Shqipëria është një vend i vogël. Por duhet që të gjenden rrugët për ta përforcuar këtë lidhje, sepse është diçka që i bën mirë të dyja vendeve. Shpresojmë që Kryeministri do ketë mundësinë të vizitojë Shqipërinë mes një takimi organizuar së bashku me të gjitha autoritetet një javë të përbashkët”.
Nga ana tjetër, Rama theksoi edhe njëherë nevojën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Gjithçka që ndodh në Ballkan ka ndikim mbi Evropën, sepse BE është e vetmja krijesë me një kufi të jashtëm dhe të brendshëm. Dhe jashtë këtij kufiri të brendshëm janë 6 shtete të cilët jetojnë në zemër të BE”.