Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të shtunë Kalabrinë, ku u ndal në Eparkinë e Ungrës, një komunitet arbëresh me besimtarë të ritit bizantin të cilët emigruan nga trojet e tyre në Epir drejt Italisë në vitet 1400-1500.
Ramën e shoqëronin bashkëshortja Linda, djali i vogël Zaho, kryebashkiaku i sapozgjedhur i Shkodrës, Benet Beci, ai i Vlorës Ermal Dredha dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Kryeministri mori disa dhurata simbolike nga Peshkopi i Eparkisë, Donato Oliverio, të cilit nga ana e tij i dhuroi një përkrenare të Skënderbeut në miniaturë. “Kjo do të më kujtojë gjithmonë heroin tonë”, tha Peshkopi. “Shpresoj të të kujtojë edhe mua”, i tha Rama.
Eparkia e Ungrës është pjesë e Kishës Katolike Italo-Shqiptare, që, bashkë me 23 Kisha Katolike të Lindjes dhe Kishën Latine përbëjnë atë që quhet Kisha Katolike. E krijuar në vitin 1919, ajo është në varësi të drejtpërdrejtë të Papës. Gjuha zyrtare e meshave është greqishtja bizantine dhe shqipja.