Aktualitet Rama: Në këtë katërvjeçar, rritje page 40% për mësuesit

Rama: Në këtë katërvjeçar, rritje page 40% për mësuesit

Në takimin me mësuesit për buxhetin e arsimit për vitin 2022, kryeministri Edi Rama tha se objektivi i qeverisë socialiste të drejtuar prej tij është rritja e pagës së arsimtarëve deri në 40%.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se gjatë mandatit të tretë do të synohet të arrihet ky objektiv, por kjo varet edhe nga faktorë të tjerë që mund të pengojnë këtë qëllim, siç ishte tërmeti i para dy viteve dhe pandemia e koronavirusit.

E megjithatë, Rama premtoi se çdo vit do të ketë rritje të pagës së mësuesve.

“Në pr/buxhetin e vitit 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni ynë i mandatit të tretë është që pagat të rriten padiskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre. Kjo lidhet me jo vetëm çka ne dimë sot dhe mund të planifikojmë sot, por lidhet nga ana tjetër me çka ne nuk e dimë dhe mund të na shfaqet përpara pasi tanimë jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa shumë e impaktojnë jetën tonë dhe sa shumë ndërhyjnë në planet tona ngjarje që janë jashtë mundësive tona për t’u parashikuar dhe që faktikisht imponojnë pastaj ndryshime rrënjësore të planeve.

Patëm një tërmet jashtëzakonisht të fortë në aspektin e impaktit mbi familjet e prekura por dhe mbi buxhetin e vendit. Jemi ende në kushtet e një pandemie që pati edhe ajo dhe vazhdon të ketë ndikimin e vetë. Por sidoqoftë ne do të vazhdojmë të synojmë objektivat maksimalë dhe nëse ky vit mbyllet përsëri me një rritje pagash për ju dhe nëse sot mesatarja bruto e pagës së mësuesve është shumë më e lartë seç ishte kur ne e kemi nisur këtë rrugëtim të përbashkët, edhe viti i ardhshëm do të jetë i njëjtë, edhe çdo vit tjetër do të jetë i njëjtë në aspektin e rritjes së vazhdueshme të pagës për ju”, deklaroi Rama.