Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Korçë, njoftoi se kanë filluar bisedimet me kompaninë nga Arabia Saudite “EMAAR”, që po ndërton portin turistik të Durrësit, për ndërtimin e resortit të parë të skive në Moglicë.
“Vizioni ynë është ta bëjmë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan, të agroturizmit. Është tërësisht e mundur dhe një proces që ka hyrë në rrugën e realizimit dhe që do të kërkojë kohën e vet. Në këto dy mandate ne kemi ndërtuar një platformë të re që do të ngremë Shqipërinë në një nivel tjetër. Me kompaninë që ndërton portin turistik të Durrësit, kemi filluar diskutimin për ndërtimin e resortit të parë të skive në zonën e Nikolicës, projekt që do jetë hapja e një kapitulli tjetër për turizmin në Shqipëri, që e kemi lidhur gjithmonë vetëm me verën, por kemi të paeksploruar turizmin malor dhe Korça është zgjedhja e parë për këtë dhe hapja e një resorti skish do sjellë shumë më tepër punë e reputacion”, deklaroi Rama.
“Ka ende shumë hapësirë edhe për zhvillimin e bujqësisë dhe agro-turizmit. I bëj apel atyre që janë në emigracion nga kjo zonë që, nëse kanë një shtëpi në zonën e fshatit, të investojnë në agroturizëm se do sjellë të ardhura më të larta se i punësuari i kujtdo në emigracion. Kemi sot pika agroturizmi në të gjithë Shqipërinë që tregon se kjo industri sjell të ardhura të konsiderueshme për familjet”, shtoi kryeministri.