Opozita ka kërkuar në vijimësi rritjen e testimeve për COVID 19. Një kërkesë të tillë pati edhe presidenti Ilir Meta mbrëmë.
Por kryeministri Edi Rama thotë se çështja e testimeve është një diskutim botëror.
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Leftion Peristeri, Rama tha se Task-Forca për COVID 19 po procedon sipas udhëzimeve të ekspertëve.
Rama tha se Shqipëria nuk është Amerika, por nëse ekspertët do të kërkojnë bërjen e më shumë tamponëve, atëherë kjo do të ndodhë.
Edi Rama: Diskutimi për testimet është botëror. Ne nuk jemi Amerika në asgjë farë. Në këtë rast ne jemi të bindur që komiteti ynë teknik i ekspertëve nuk ka asgjë më pak sesa çdo komitet teknik në botë, edhe në Amerikë po të doni ju. Strategjia e tamponëve është strategji që nuk e përcaktoj unë, nuk e përcakton qeveria, mediat, jo e jo gjinkalla këngëtare, e përcaktojnë ekspertët e komitetit teknik. Deri tani nuk besoj se keni vërejtje substanciale si po ecën situatë. Që tregon se tregon strategjia po funksionon. Ne do të bëjmë si të na thonë ekspertët. Kur të thonë ata që do bëhen më shumë teste ne do ti bëjmë dhe do zbatojmë urdhrin e tyre.
Kryeministri Rama thotë se situata me COVID 19 është në kontroll dhe se nuk do të na mungojë asgjë nëse nuk shkojmë në katastrofë.
Për shefin e qeverisë, kërcënimi i vetëm është rreziku shqiptar.
Edi Rama: Ne deri në fund nuk do të na mungojë asgjë nëse nuk shkojmë në katastrofë, po shkuam atje do na mungojë edhe neve siç u mungon të gjithëve edhe SHBA-së, superfuqisë së planetit, ku s’ka maska akoma për të mbrojtur personelin e vijës së parë. Unë e ndjek çdo ditë presidentin e SHBA-së kur del e flet e dëgjoj me vëmendje siç dëgjoj dhe një sërë kolegësh të tjerë. Në këtë modestinë dhe brishtësinë tonë, me këto vendimet tona deri tani nuk ia kemi zili askujt përsa kemi bërë e kemi arritur, por ne jemi të kërcënuar nga një rrezik shqiptar që është shumë specifik. Pikërisht prirja për të hedhur helm, përçarë e tmerruar njerëzit për qëllime që nuk kanë të bëjnë me njerëzit, apo komponent gomarllëku që e shohim tek një soj i veçantë shqipos na kërcënon sepse kërcënon zinxhirin e vijës së mbrojtjes, çdo njeri është hallkë e këtij zinxhiri. Nëse çoroditet mendja e njerëzve atëherë ne jemi të marrë fund e do të përfundojmë më keq sesa vendi që është në situatën më të keqe e do dalim me turp nga kjo luftë.
Ka një nismë për riatdhesimin e të gjithë shtetasve të bllokuar në vende të ndryshme të BE-së. Ka një shqetësim me të kthyerit pse nuk po izolohen nga familjet e tyre.
Edi Rama: Të bëjmë një korrektim. Nuk ka nismë për riatdhesimin e të gjithë shqiptarëve të bllokuar sepse një nismë e tillë nuk ka ekzistuar kurrë. Ka pasur një nismë për të riatdhesuar një numër shqiptarësh që janë konstatuar si njerëzit në pikën më të madhe të hallit dhe janë kthyer në Shqipëri. Për ta sqaruar. Të gjithë ata që na ndjekin duhet ta dinë. Mos merrni në telefon konsullatat, ambasadat, për të kërkuar të riatdhesohen sepse nuk ka. Kufijtë janë të mbyllur dhe secili duhet të qëndrojë aty ku është dhe secili të bëjë rezistencën e vet atje. Të mbrojë veten dhe të tjerët deri në fund të luftës që nuk e sollëm ne, por ka futur të gjithë botën në shtëpi do të qëndrojmë kështu.
Lidhur me mundësinë e rrezikut që paraqesin për infeksionin shqiptarët e kthyer, Rama pati këtë përgjigje:
Edi Rama: Nuk ka më karantinime të fragmentuara. Të gjithë duhet të mbrohen dhe të gjithë ata që vijnë nga një zonë e rrezikut potencial duhej të vetëkarantinoheshin. Ne kemi pasur në periudhën e fundit 135 mijë shqiptarë që u futën dhe bëhej debat nga ata që janë gati të flasim si trajnerë të futbollit dhe shkencëtarë të epidemiologjisë, meqë kufijtë nuk u mbyllën kur u shfaq në Itali ne na mori lumi.
Por nuk është e vërtetë. Ata që kanë ardhur nga Italia, 99.9999% kanë respektuar karantinimin. Dhe në kohë pandemie u thuhet të gjithëve e njëjta gjë. Nuk është se këta që erdhën tani do të na shkatërrojnë Shqipërinë sepse janë një numër i kufizuar dhe për rrezikun potencial që përfaqësojnë. Ne mund ta mbajmë në kontroll pa pikën e problemit.