Në një takim me simpatizantë të Pogradecit, kryeministri Rama tha se shqiptarët duhet t;i japin fund marrjes peng nga partitë që e duan pushtetin për të mbajtur një dorë në tepsinë e tij. Ai tha se ka ardhur koha që administrata të çlirohet nga këta njerëz dhe i ftoi pogradecarët të votojnë Partinë Socialiste.
“Me 25 qershor kemi mundësinë të votojmë si patriotë, jo si partiakë, jo si interesaxhi të lloj lloj partive që për 27 vjet e kanë marrë peng administratën e shtetit shqiptar. Ne kemi nevojë të çlirojmë zyrat e shtetit, nga lloj lloj dallkaukësh që janë aty vetëm si rezultat i partive pengmarrëse, – tha Rama. – Ne do t’i them me 25 qershor stop partive që mendojnë se e kanë pushtetin të tyre dhe më 25 qershor pushtetin do ta marrë populli me anë të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Këto parti, kërkojnë një dorë në pushtet për të shantazhuar PS që të ndajnë tepsinë e pushtetit, ndaj është momenti që të na ndihmoni dhe të na jepni votim për të drejtuar të vetëm që të vazhdojmë reformat që kemi nisur”.
Në fund, Rama ironizoi edhe Partinë Demokratike, duke nënvizuar: “Kush voton PD, s’merr asgjë, kush voton PS, merr edhe PS edhe PD, sepse ashtu duhet”.