Pas takimit me deputetët dhe kryebashkiakët socialistë një ditë më parë, kreu i Qeverisë e ka nisur këtë të dielë me takime me strukturat e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës. Të pranishëm ishin drejtues të lartë të PS në këtë qark, deputetë, e deleguara e selisë rozë në Shkodër Elisa Spiropali dhe kryebashkiaku Benet Beci. Gjatë fjalës së tij, Rama u ka kërkuar socialistëve të Shkodrës që ta bëjnë PS-në më gjithëpërfshirëse.
Po ashtu, u ka kërkuar drejtuesve që të ftojnë për anëtarësime në parti dhe të gjithë demokratët, të cilët sipas Ramës përfaqësohen nga kryebashkiaku socialist Benet Beci.
“Duhet që të vazhdojë fuqishëm puna për anëtarësimet në PS. Shkodra deri tani është qarku me numrin më të lartë dhe duhet që të vijojë me këtë ritëm. PS duhet që të jetë një parti gjithëpërfshirëse, të hapë dyert për të gjithë, të majtë e të djathtë, të mos jetë një parti hermetike dhe e ngurtësuar. Duhet të afrojmë edhe demokratët. Beneti i përfaqëson të djathtët kështu që demokratët e kanë derën e hapur”, tha Rama.
Pas deklaratës së Ramës, ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili është shprehur se demokratët e kanë shtëpinë e tyre.
“Edi Rama duhet të mbyll derën dhe dritaren që të mos vijojë braktisja masive që po i bëjnë socialistët e ndershëm, që nuk pranojnë dot 11 vjet keqqeverisje dhe korrupsion, largimin e të rinjve nga vendi apo varfërinë në rritje. Demokratët kanë shtëpinë e tyre dhe janë të vendosur të bëjnë realitet ndryshimin që presin shqiptarët prej 11 vjetësh. Boll më! 12 vjet keqqeverisje dhe korrupsion janë shumë kohë e humbur!”, ka shkruar Bardhi në platformën ‘X’.
Gjatë takimit të tij në Shkodër, Rama tha se kryeqendrën e Veriut e ka prioritet, duke u premtuar investime.
“Shkodrën duhet që ta kapim në dorë Benet, kemi shumë punë. Ashtu si kanë lënë uzinën e telave të shkatërruar ashtu kanë lënë edhe Shkodrën. Edhe tek stadiumi ‘Loro Boriçi’ kemi bërë një investim të madh por e kanë lënë pas dore si çdo gjë në Shkodër. Duhet ta kthejmë në një turizëm sportiv stadiumin, të rikonceptohet ndryshe dhe të mirëmbahet si duhet. Shkodra është prioriteti ynë dhe të jeni të sigurtë se qeveria do të ketë një vëmendje të veçantë për investime të mëdha në Shkodër”, tha Rama.
Po ashtu u ka dhënë porosi socialistëve të Shkodrës që të reklamojnë punën e tyre në Instagram. Kjo sipas Kryeministrit ka një ndikim të madh tek njerëzit.
Gjatë takimit me drejtuesit e Partisë Socialiste në Shkodër nuk kanë munguar as batutat. Kjo pasi njërit prej të pranishmëve i ka rënë telefoni. Në këtë moment, Rama i është drejtuar duke i thënë se nëse nuk e beson gruaja që është në takim partie, atëherë do i flasë ai vetë.
“Patjetër që do të jetë gruaja në telefon se kujton se je në kafe. por thuaji se je këtu. Nëse nuk beson ma jep mua që t’i flas”, tha Rama.