Gjatë vizitës së tij në Madrid, Edi Rama është pritur mesditën e së hënës nga kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, ku u nënshkruan edhe dy marrëveshje.
“Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për bashkëpunimin në çështjet e arsimit të lartë dhe Marrëveshjen si shtesë e konventës europiane për ekstradimin e vitit 1957”, janë dy marrëveshjet e nënshkruara këtë të hënë.
Kjo është vizita e parë zyrtare e nivelit të lartë në Spanjë në historinë e marrëdhënieve bilaterale. Kryeministria shkruan se kjo vizitë hap një faqe të re në këto marrëdhënie me potencial të lartë bashkëpunimi politik, ekonomik e kulturor mes Spanjës dhe Shqipërisë.