Kryeministri Edi Rama pret që PS-ja të fitojë 20 deputetë nga Qarku i Tiranës. Teksa prezantoi skuadrën e tij për zonën më të rëndësishme elektorale në vend, Rama tha se numri 19 është numri minimal i kandidatëve që mendon Partia Socialiste për të fituar.
Rama nuk la pas batutat me kandidatin e renditur ne vendin e 19, ministrin Pandeli Majko, ndërsa tha se në zgjedhjet e ardhshme ai do të jetë i 20-ti në listë dhe premtoi se prezantimin do ta bëjë tek Teatri i ri Kombëtar duke nënkuptuar se do të ndërtohet brenda mandatit të tretë.
“Sa më takon unë di dhe do përmend vetëm numrin e PS-së dhe pastaj u takon të gjithëve të bëjnë zgjedhjen e tyre për çdonjërin nga kandidatët që preferojnë, por 19 është një numër që unë e përmend e para se është numri i Pandit, e dyta sepse është objektivi ynë minimal në Tiranë, e treta sepse në Tiranë do të fitojmë 20 deputetë, dhe e fundit, kur Pandi të jetë i 20 në zgjedhjet e tjera do të flasë për Teatrin e ri Kombëtar njësoj siç foli për stadiumin sot sepse këtë takim në kushte të pashtrënguara nga pandemia, dhe me siguri edhe me komunitetin artistik rreth e rrotull, pas 4 vjetësh do ta bëjmë tek Teatri i ri Kombëtar. Për të gjitha këto arsye numri 19 është i veçantë. Shpresoj që Elisës të mos i mbetet hatri që unë përmend numrin 19”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Majko tha se ka një lloj presioni në këto zgjedhje, por jo ngaqë është i 19-ti, por nga pesha e përgjegjësisë që ka çdokush nga kandidatët.
“Në emër të të gjithë kolegëve kam një lloj presioni në këto zgjedhje, por ky presion nuk vjen nga fakti që jam numri 19 në listë, por vjen nga pesha e përgjegjësisë që e ka çdokush nga ne. Këtu çështja shtrohet pak më thelbësore, së pari ky ekip nuk është ekip mbijetese, është ekip shprese i cili bën një diferencë shumë të madhe me ekipin që ka përballë. Ekipi përballë një grup njerëzish që përpiqen të mbijeton. Përballë ekipit të mbijetesës ne kemi ardhur pa diskutuar me njëri-tjetrin, se kush është i pari, i dyti, i treti, vija e zjarrit apo vija e sulmit, në thelb jemi një ekip, ku të gjithë bashkë, pavarësisht nëse kanë ardhur ditën e parë, apo kanë këtu prej vitesh mendoj se ia kemi vënë vetes qëllimit se konkurrencën e kemi me kundërshtarët tanë jo me njeri-tjetrin”, deklaroi Majko.