Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që në ditën e parë të muajit të Ramazanit të inspektonte punimet që po kryhen në Xhaminë e Et’hemBeut. Kreu i qeverisë shoqërohej nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu.
Rama uroi të gjithë besimtarët myslimanë për një agjërim të mbarë, ndërkohë që u shpreh se me lehtësimin e masave besimtarët mund të kryejnë të gjitha ritualet e nevojshme.
“Deri para një muaj ishte thuajse e paimagjinueshme që ju do të hynit të muajin më të shenjtë të vitit me lehtësimin e masave anti Covid. Me zgjatjen e orarit ju do të keni mundësi që të bëni të gjithë ritualet. Kam shumë besim se ky muaj do jetë energjizues, dhe kam shumë besim se me daljen nga tuneli i pandemisë dhe pas hapjes së turizmit, me hapjen e të gjitha punëve për njerëzit të dalë nga ajo që thoni ju pas vuajtjes së madhe vjen lehtësimi. Përfitoj nga rasti të uroj të gjithë anëtarët e Komunitetit një muaj agjërimi të pranuar dhe zoti qoftë me ju dhe me shqiptarët”, tha Rama.
Ndërkohë në Facebook kryeministri Rama shkruante se për xhaminë e Et’hemBeut se, “ky xhevahir i Trashëgimisë sonë Kulturore është kthyer në krejt shkëlqimin e vet, pas një pune të gjatë milimetrike, që ka nxjerrë gjithçka fshihej nën shtresat e kohërave dhe sot është vendi ideal, për të uruar Muajin e Madh të Ramazanit me besimin e madh se ky do të jetë edhe një muaj i afrimit vendimtar me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë”.