Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë se synimi i qeverisë në përfundim të mandatit të tretë është që paga minimale të shkojë në 400 mijë lekë. Kreu i qeverisë dha lajmin teksa shpalosi Planin e Veprimit 2021-2025 se nga Janari i vitit të ardhshëm do të hiqet taksa mbi pagën aktuale deri në 400 mijë lekë. Po ashtu Rama deklaroi se do të shtyhet më lart fasha e taksimit 23% mbi pagën ndërkohë që atyre që marrin 2.5 mln lekë në muaj do t’u ulet tatim fitimi.
“Sot kemi pagën minimale 300 mijë lekë 50% më shumë seç ishte kur morëm detyrën. Është më shumë seç ishte, por nuk mjafton. Plani është që ta rrisim atë çdo vit dhe të arrijmë padiskutim në 380 mijë, por duke synuar 400 mijë deri në fund të mandatit të tretë. Ata thonë do na çojnë në 360 mijë. Duke na dëgjuar deri në 25 Prill ta rrisin në 420 mijë. Ata nuk kanë plan për të qeverisur, por kanë një meny për të sajdisur për vota ku të mundin. Ne jo vetëm do të synojmë pagën 400 mijë lekë, por duke nisur nga 1 Janari i vitit 2022, pra i vitit të ardhshëm ne do ta heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 400 mijë lekë, për sektorin publik dhe sektorin privat. Ky është planifikim financiar dhe jo premtim financiar. Nga viti i ardhshëm 63% e të punësuarve në Shqipëri nuk do të kenë taksë mbi pagën. Të gjitha do t’i çojnë në shtëpi. Sigurimet duhet t’i paguajnë të gjithë se ato nuk janë për qeverinë, por për të siguruar pensionet dhe shëndetin e të gjithëve.
E dimë shumë mirë që ka një kategori shumë të lartë të punësuarish që për shkak të punës që është një punë më e kualifikuar marrin mbi 1.5 mln lekë në muaj dhe hyjnë në fashën e lartë të taksimit progresiv, 23% taksë mbi pagën. Ne do ta shtyjmë më lart këtë fashë taksimi dhe do ta ulim tatim fitimin për të gjithë ata që marrin deri në 2.5 mln në muaj. Është masë e kërkuar me të drejtë nga një kategori punonjësish të kualifikuar dhe shumë të kualifikuar, por që tani më është e mundur. Kjo masë do të hyjë në fuqi në 1 Janar 2022. Kemi rritur pagën mesatare në administratë nga 580 mijë në 720 mijë lekë, do ta rrisim në 850 mijë lekë në muaj në mandatin e tretë”.
Kryeministri ironizoi edhe premtimet e opozitës dhe tha se bëhen për votime.
“Ata kanë zgjedhur rrugën e joshjesh elektorale me premtime kap ça të kapësh në votime. Kijeni parasysh se tonat janë masa të studiuara dhe të planifikuara për tu zbatuar nga qeveria ime, ndërsa të tyret janë premtime të lëshuara për t’i marrë era e vjeshtës së parë në qeverisjen e Lulit, Saliut, Ilirit, Monikës, Shpëtimit, Dashit, Mediut, Dules, Dukës, Nard Ndokës dhe Palokës dhe të të rë Çufove dhe Bubave kaçurrelë që janë mbledhur në atë çadër cirku ku nuk mungon deri tek Marku dhe Gjekmarku”.