Kryeministri Edi Rama ka folur sot në forumin e Davosit për sulmet kibernetike. Rama theksoi se ky sulm i sponsorizuar nga Irani u përballua me bashkëpunimin me Microsoft dhe FBI amerikane.
Në Forumin Ekonomik të Davosit, kryeministri Rama ndau eksperiencën me agresionin që erdhi nga Irani, që sipas tij vazhdon çdo ditë.
Pyetje: Shqipëria verën e kaluar është një shembull konkret se si sulmet kibernetike mund të ndikojnë qeveritë dhe kombet. Kryeministër, presim të dëgjojmë nga ju.
Edi Rama: Kurrë mos fto dikë nga Ballkani dhe t’i vendosësh një limit kohor. Nisi me shërbimet, por e dimë që infrastruktura kritike është në rrezik. Jemi ende nën sulm. Praktikisht çdo ditë. Është shumë sfilitëse, e frikshme. Dhe disi pamë anën tjetër të këtij bekimi të teknologjisë, që është mallkimi i teknologjisë.
Sipas kryeministrit, ndërtimi i mburojës kibernetike kërkon kohë dhe mbi të gjitha shumë fonde.
Edi Rama: Po të pyesësh çdo kryeministër në botë se çfarë mendon për kostot, do të thotë që ndjen dhimbje. Ndaj nuk është një pyetje shumë e mirë, por do përpiqem t’i mbijetoj dhimbjes. Është ndryshe kur investon për të bërë diçka, sepse njerëzit do ta shohin dhe do të të mbështesin; Është ndryshe kur investon për të mos lejuar diçka të ndodhë. Njerëzit do thonë, nga çfarë po e mbron, nuk ekziston.
Pyetje: Kryeministër, uji të shëron më së miri.
Edi Rama: Nuk jam ende në atë pikë. Mos më ndërprit. Duhet ende të mbledh mendimet e mia.
Panelistët arritën në konkluzionin se hakerat do të jenë gjithmonë një hap përpara në luftën kibernetike, por me anë të bashkëpunimit midis qeverive dhe kompanive, dëmi i tyre mund të kufizohet.