Nga Dhërmiu ku bëri të ditur se ka nisur pushimet, kryeministri Edi Rama mori disa minuta për të hedhur poshtë, pretendimet se Shqipëria këtë vit është braktisur nga pushuesit.
“Mbrëmë mora shifrat, nga aeroporti kanë hyrë 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, e paimagjinueshme pak vite më parë. Për shifrat e aeroportit s’mund të thonë as gojët me qime të atyre që nuk pushojnë, u zbraz Shqipëria tani edhe nga turistët. Në vlerë absolute për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit.”
Ndërsa, teksa citonte shifrat që vinë nga Morina, Rama theksoi po ashtu se nuk është aspak e vërtetë që këtë vit, Shqipëria është braktisur edhe nga shqiptarët e Kosovës.
“Shifrat në Morinë, gjatë këtij viti 175 mijë automjete më shumë se vjet, në korrik 3 mijë më shumë se vjet. Teoria keqdashëse për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është zero me xhufkë. Shifrat nga dogana janë një rritje krahasuar me vjet, më shumë njerëz që shpenzojnë këtu në Shqipëri.”
Përpos përgjigjes që u dha atyre për të cilët thotë se “nuk mund t’i gëzohen suksesit të Shqipërisë,” Rama shton gjithashtu se ekipi i tij, “po mban shënime” për të parë se ç’mund të rregullohet për sezonin tjetër.
“Maja e Shqipërisë 2030 është një objektiv strategjik, është gjithmonë e më afër, por për të arritur është një sfidë që duhet përballur me shumë mund, vullnet, durim, por mbi të gjitha me një bindje absolute se Shqipëria do jetë kampione e turizmit.”