Nga Italia ku po mbahet panairi i verërave në Bardolino, liderët e tre shteteve të Ballkanit, kryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Kovaçevski dhe Presidenti serb Vuçiç, mbajtën një konferencë të përbashkët ku folën për ecurinë e nismës ekonomike e tregtare në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se takimi i radhës i “Ballkanit të Hapur” do të mbahet në fund të muajit Maj.
“Për herë të parë prodhuesit tanë po përfshihen në këto panaire që janë në nivelin Champions League dhe jemi këtu falë nisjes së panairit të verës në Beograd vitin e kaluar që do të përsëritet. Do të jetë një mundësi e shkëlqyer për bujqësinë tonë, për prodhimin e verës, për sfidat dhe ambiciet tona dhe do jetë mundësi e jashtëzakonshme për prodhuesit tanë që të krijojnë kontakte. Nga ana tjetër kjo ishte një mundësi për të ndarë pikëpamje dhe për të paraprirë takimet e tjera. Do takohemi në fund të Majit dhe më pas do jemi në panairin e bukës në Shqipëri në fillim të Vjeshtës dhe pastaj panairin e verërave. Ndërkohë kemi filluar të planifikojmë kupën e parë verore të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme të ekipeve më të mira. Ndërkohë jam i sigurt që duke përjetuar këtë përvojë fëmijët do mësojnë nga njëri-tjetri”.
Duke folur për hapjen e negociatave, Rama theksoi se Shqipëria do t’i përmbushë të gjitha kapitujt e kërkuar nga Bashkimi Europian.
“Po punojmë për një strategji për të forcuar marrëdhëniet me BE, për të forcuar bashkëpunimin. Kur vjen fjala për procesin e integrimit europian, kapitujt, paragrafët, fjalitë, ne jemi shumë të prirur t’i përmbushim ato. Nuk do kërkojmë të na bëhen dhurata. Nuk do kërkojmë të kemi përshpejtime artificiale”.
Largimin e forcës punëtore nga Shqipëria dhe rajoni dhe kërkesën për krah pune nga vendet e BE-së, Rama e sheh si shqetësim që do të diskutohet në takimin e radhës në fund të Majit në “Open Balkan”.
“Jemi të shqetësuar për këtë vrull të ri në Europë në kërkim të forcës së punës. Është qëndrimi i tyre legjitim por ne nuk jemi diku gjetkë, jemi në mes të Europës. Dhe për këtë do diskutojmë në takimin tonë të muajit Maj. Doja të përmendja shifra mjaft domethënëse për vëllimin tregtar. Vëllimi tregtar është rritur me 28.4%, është një rritje e jashtëzakonshme që është rezultat i gjithçkaje që ne kemi bërë”, theksoi Rama.