Ndërsa opozita proteston prej muajsh dhe kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, ky i fundit vazhdon prezantimin e kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet e 30 Qershorit. Nga Kurbini, Rama prezantoi kandidaten e këtij qyteti, Majlinda Cara ku tha se për herë të parë pas 30 vitesh do të votojnë për një grua.
“Shyqyr që ju erdhi mundësia të votoni për një grua, se keni votuar për burra 30 vjet”.
Kryeministri deklaroi se kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka frikë nga zgjedhjet se e di që nuk e voton populli.
“Ne kërkojmë njerëz për të vazhduar rrugën për të punuar, ata kërkojnë rrugë për të prishur. Luli Ka frikë nga zgjedhjet, se e di që populli nuk e zgjedh. Ata kanë frikë nga gjykimi i popullit dhe prandaj thonë se nuk do të lejojnë zgjedhjet. Ata vendosën që të ikin nga zgjedhjet dhe është punë e tyre, por përveç kësaj asgjë tjetër nuk vendosin dot, sepse shqiptarët e kanë vendosur kohë më parë që në këtë vend vendos populli, vendos vota e populli, vendosin vetë shqiptarët me votën e tyre dhe askush nuk i shpëton gjykimit të tyre”.