Kryeministri Edi Rama ka vijuar fushatën elektorale në kuadër të zgjedhjeve të 14 Majit në Pogradec.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se një projekt me vlerë 15 milionë euro është një proces që do të përfshijë të gjithë zonën e Drilonit.
“Sot, falë punës së kryetarit të bashkisë dhe mbështetjes që i kemi dhënë, Pogradeci nuk ka më problem me kanalizimet dhe pas dekadash të tëra nuk ka më ujëra të ndotur që derdhen në liqen ku shtrihet një nga pasuritë më të mëdha e këtij komuniteti që është shtysa më e fortë për të investuar dhe më shumë për ta bërë Pogradecin destinacion dhe më turistik. Ne kemi në proces një projekt të madh, 15 milionë euro që është në kantier në zonën e Drilonit. Kemi projektin tjetër për shëtitoren buzë liqenit të Pogradecit, një projekt që do ta transformojë Pogradecin. Kemi një sërë projektesh të tjera. Di që kemi akoma një borxh ndaj zonës së Mokrës ku ka akoma potencial për zhvillimin e turizmit dhe ku mungon infrastruktura e nevojshme për t’u dhënë hov ekonomisë së zonës”, tha Rama.
Rama ka bërë edhe bilancin e punëve të bëra përgjatë qeverisjes.
“Jemi në një moment kthese të madhe historike për ekonominë tonë sepse kemi punuar shumë për këtë ditë. Kemi bërë shumë reforma, kemi kaluar shumë vështirësi, qytetarët janë përballur me masa shtrënguese, por nga ana tjetër në këtë përpjekje për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, na është dashur që të përballemi me të papritura duke filluar që nga tërmeti, pastaj jemi përballur me pandeminë, me atë mortje që na shkaktoi aq shumë stres dhe aq shumë dhimbje. Vazhdojmë të përballemi me një situatë të vështirë të krijuar nga lufta. Kemi punuar shumë, ja kemi dalë që sot të hyjmë në një proces historik të rritjes më të lartë të pagave të ndodhur ndonjëherë”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, ka dhënë arsyet e tij se pse duhen votuar kandidatët e PS-së më 14 Maj.
“Ne në këto zgjedhje e kemi të thjeshtë se do të vendosim në 14 Maj se kë do të marrim në punë për t’i qëndruar në krye të punës në shërbim të komuniteteve. Kemi shumë arsye për të mos pasur dilemë sepse është e qartë se çfarë bëjmë ne dhe çfarë bëjnë ata. Këtu i kishit dhe mbeti Pogradeci si jetime në grupin e bashkive që vazhduan të ecnin para. E njëjta ndodh sa herë pushteti bie në duart e tyre”, përfundoi Rama.