Në nisje të konferencës së fundvitit, kryeministri Edi Rama e cilësoi moment tejet domethënës për vitin që lëmë pas, çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Por, është me rëndësi të theksoj këtu diçka që e keni dëgjuar me siguri më parë, se ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës do të ishte i pamundur nëse një skuadër me qindra e qindra punonjës të administratës politike, negociatorë, drejtues grupesh, nuk do kishin bërë punën e shkëlqyer me screening, ose me diagnozën e gjithë sistemit të Republikës së Shqipërisë në të gjitha fushat. Për hir të së vërtetës ecuria e këtij procesi, vlerësimet befasuese të Komisionit Europian, të qeverive që ishin përfaqësuese të shteteve më skeptike për performancën e skuadrës tonë kombëtare, janë një shtysë e fakt shumë domethënës për çfarë është bërë në të gjithë këto vite dhe cila është në të vërtetë administrata e vendit. As nuk përfaqësohet, as nuk shpjegohet me rastet e atyre punonjësve që për një arsye a për një tjetër nuk e nderojnë shtetin tonë, flamurin tonë dhe bëhen me të drejtë objekt qoftë i ekspozimeve të sjelljeve apo veprimeve të tyre të padenja nga mediat, apo drejtësisë”, deklaroi Rama.
Së dyti, kreu i qeverisë nënvizoi faktin se Shqipëria ka dalë pas 29 vitesh nga faza e monitorimit të Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës. Tejet i rëndësishëm sipas tij është edhe plani i rritjes së BE-së që u mundëson vendeve të Ballkanit Perëndimor financime të majme në vijim, por edhe avantazhe të tjera.
“Jemi si të gjithë ato vende që duan të bashkohen me familjen europiane brenda kësaj dekade.
Shqipëria ia ka dalë të shtyjë dhe të bëjë të mundur, duke bashkëpunuar edhe me vende të rajonit, jo vetëm një dialog të pandodhur më parë mes Komisionit Europian, vendeve anëtare e vendeve kandidate, nga ku doli si rezultat konkret plani i ri i rritjes. E them me shumë krenari, ka qenë proces jo i lehtë, ka qenë këmbëngulje e vazhdueshme me kontakte, takime. Ne tashmë kemi një instrument të ri financiar, ku në periudhën nga sot deri në 2027-ën do të thithim rreth 1 mld Euro plus dhe kemi njëkohësisht edhe dritën jeshile për t’u bashkuar me familjen europiane në disa segmente të funksionimit të Europës së Bashkuar”, tha Rama.
Vendi ynë, theksoi kreu i qeverisë, është në një pozicion krejtësisht të ri në hartën e marrëdhënieve me jashtë.
“Në një garë me disa vende Shqipëria ka fituar mundësinë e hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë. Është filiali i dytë të Kolegjit që historikisht e ka qendrën e vet në Belgjikë. Pas filialit të parë që u hap në Poloni, hapet në Tiranë si një sinjal kuptimplotë, por edhe si vlerësim domethënës. Më 16 Maj pritet Samiti i Komunitetit Politik Europian ku do kemi udhëheqësit e 700 mln banorëve të kontinentit e përtej. Arsyeja pse Shqipëria e mori këtë mundësi, është e thjeshtë. Sot, Shqipëria është një vend ku të gjithë shohin me sytë e respektit dhe kanë vlerësime që personalisht mua më bëjnë krenar”, tha Rama.