Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se prej ditës së sotme ka nisur procesi i vaksinimit antiCovid me njësitë e lëvizshme. Vaksinimi në komunitet filloi sot nga Paskuqani, në periferi të Tiranës dhe do të shtrihet në të gjithë vendin.
“Punë fantastike e ekipit të qendrës shëndetësore Paskuqan dhe Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, me vaksinimin derë më derë, për të mbrojtur sa më shumë qytetarë nga Covid19. Nisë m sot vaksinimin me njësitë e lëvizshme në komunitet, pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të vaksinohet, afër vendbanimit”, shkruan Manastirliu.
Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se: “Prej sot vaksina ju vjen në shtëpi me njësitë e lëvizshme në komunitet, pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të vaksinohet, afër vendbanimit”.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,016,554 doza të vaksinës ndaj Covid19. Prej tyre 431,722 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCovid.