Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar së bashku me homologun e tij japonez Fumio Kishida një konferencë për shtyp. Kreu i qeverisë shqiptare fillimisht shprehu mirënjohjen për vizitën që po kryen në Tokio.
Ai u shpreh se angazhimi i qeverisë së Japonisë për emërimin e një ambasadori përgjegjës për Ballkanin Perëndimor është lajm i shkëlqyer. Rama tha ndër të tjera se shpreson që homologu i tij Kishida ta vizitojë së shpejti Shqipërinë.
“Japonia është një vend që e respektojmë dhe e adhurojmë. Të jesh këtu, të ndajmë pikëpamjet tona me homologët japonezë dhe të diskutojmë së bashku për të ardhmen tonë të përbashkët është një përvojë mjaft përulëse për të gjithë ne. E vizitoj Japoninë pasi kam fituar tri zgjedhje, dhe shpresoj shumë që ju kryeministër të vizitoni Shqipërinë dhe rajonin së shpejti. Është lajm i shkëlqyer të dëgjosh që qeveria juaj angazhohet të emërojë një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Është e një rëndësie thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në rajonin tonë. Jemi së bashku në Këshillin e Sigurimit dhe siç e thatë kemi bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën dhe bashkërisht dënojmë agresionin rus”, u shpreh Rama, i cili shtoi se të dyja vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku në Këshillin e Sigurimit.
Rama u shpreh se është e nevojshme të forcohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimet mes dy vendeve. Ai theksoi se shpreson që së shpejti qeveria japoneze do të heqë vizat për shqiptarët, njësoj siç ka bërë Shqipëria me Japoninë.
“Do të doja që ta përmbyllja pjesën time duke u bashkuar me kryeministrin e nderuar për të theksuar nevojën dhe dëshirën për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, për forcimin të bashkëpunimit tonë dy palësh dhe për të parë që të ketë më shumë gjëra që ndodhin midis dy vendeve tona. Vërtetë ne jemi larg gjeografikisht, jemi ndryshe në kuptimin që Japonia është e madhe, ne jemi të vegjël, Japonia është e pasur ne nuk jemi kaq të pasur, por në një botë që është e përfshirë gjithmonë e më tepër nga shqetësimet, nga krizat e papritura besojmë se më shumë sesa dallimet ajo që na bashkon më shumë janë vlerat. Të jesh pjesë e kësaj familje vlerash është shumë më e rëndësishme sot se dje dhe mund të jetë më e rëndësishme nesër se sot. Kështu që duke shpresuar që së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët do të mund të udhëtojnë pa viza në Japoni, ashtu siç japonezët mund ta bëjnë tashmë drejt Shqipërisë ne presim me padurim që ky bashkëpunim të forcohet dhe edhe një herë dua të falenderoj me gjithë zemër kryeministrin, ambasadorin japonez në Shqipëri, të gjithë ata që janë treguar kaq të sjellshëm me ne në qëndrimin e shkurtër në Tokio”, tha Rama.