Partia Socialiste nisi sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 Majit. Ishte kreu i selisë rozë, Kryeministri Edi Rama ai i cili mbajti një fjalë hapëse ku bëri thirrje që të votohet Partia Socialiste për ta çuar përpara Shqipërinë.
Sa i përket opozitës, Rama u shpreh se “dy hiena” duan që të marrin peng sa më shumë bashki në mënyrë që t’i thonë botës se pa negociuar me ta nuk bashkëpunojnë dot me normalisht me Shqipërinë.
“Shikoni Lezhën sot me PS-në dhe shikoni Lezhën me ata dje. Imagjinojeni largqoftë Lezhën nesër me po ata që sot janë ku e ku më keq seç ishin dje. Prandaj kurrë më mbrapa, por vetëm përpara është gjëja më e natyrshme që mund të bëjmë dhe t’u kërkojmë zgjedhësve që të bëjnë. Shikoni Matin, Dibrën. Shikoni, Pukën, shikoni Tropojën, Kukësin, Vaun e Dejës, shikoni Kurbinin që sot është një qytet krejt i ri dhe imagjinojeni sa gjynah të ribjerë në dyert e atyre të cilët sot ndryshe nga dje nuk i sheh dot më me sy as e gjithë bota, përveçse shumica dërrmuese e shqiptare që as i ka parë ndonjëherë as ka për ti parë dot me sy aq më tepër sot që janë bërë një arsye turpëruese për Shqipërinë në sytë e botës.
Problemi më i madh është se ata nuk janë më as vetvetja, por janë pengje të së shkuarës së tyre, të korrupsionit madhor dhe të minimit të demokracisë, të damkës “non grata”, të parave ruse dhe të kontove bankare të fshehta që kanë nisur të dalin mbi ujë si ato shishet e anijeve të mbytura që i sjell dallga pak nga pak në breg. Ata janë i mbyturi që të mbyt dhe slogani i tyre i vërtetë dhe i vetëm është pas nesh le të bëhet qameti. Ata duan të marrin peng sa më shumë bashki, sa më shumë Shqipëri, sa më shumë shqiptarë për ti thënë botës që pa negociuar me ta nuk bashkëpunon dot normalisht me Shqipërinë, për t’u mbrojtur nga drejtësia që vazhdon vonon, por ka gjithmonë e më pak shans që të harrojë. Për të qëndruar me pahir në lojë i thonë fjalës duke kthyer Shqipërinë mbrapsht tek kapitulli i zymtë i halleve dhe mëkateve të tyre krejt personale.
Unë sot nuk kam asnjë këshillë të mirë për t’iu dhënë njerëzve të zakonshëm që ndihen lidhur me emrin demokrat për hir të asaj që dikur ishte me PD se sa t’ju them mos e lidhni fatin e qyteteve tuaja, të kopshteve, çerdheve, shkollave të fëmijëve tuaj, fatin e qendrave shëndetësore dhe hapësirave të gjelbra, me dy hije të së kaluarës që rrezikojnë t’ju ndajnë nga treni i zhvillimit kombëtar urban dhe rural, t’ju hedhin në erë urat e bashkëpunimit me qeverinë dhe t’ju kthejnë mbrapa mish për top të luftës së tyre me mullinjtë e erës. Ja u them këtë demokratëve në të gjithë Shqipërinë, por sidomos demokratëve në Shkodër dhe në disa zona të tjera sepse për pjesën dërrmuese të Shqipërisë, demokratët edhe kur gabojnë fitojnë sepse i ndihmojnë socialistët me votën e tyre që t’i mbajnë në rrugën e duhur.
Me ose pa ju them, Shqipëria do të ecë vetëm përpara dhe përpara do ecin ato komunitete që do ua besojnë kandidatëve tanë dhe PS-së votën e tyre. Ka një element të thjeshtë. Kandidatët tanë nuk janë të rënë nga qielli, por kemi provën që asnjëri prej tyre nuk është aq mendërisht i lënduar si ata që japin fytyrën, zërin, emrin e familjes, karrierën e tyre në dispozicion dy hijeve që turpërojnë Shqipërinë”, tha Rama.
Rama tha se vota për PS ka transformuar qytetet e vendit. Ai solli në vëmendje Shkodrën, ku sipas tij vota kundër PS nuk ka sjellë asnjë ndryshim.
“Mjafton të shikoni Shkodrën, ku vota kundër PS nuk ka sjellë asnjë ndryshim në atë djep kulture, por ka krijuar një pashallëk harbutllëku të një force politike. Pa votën e PS s’do ishin kryer gjithë ato punë të vështira dhe të dhimbshme, por që po krijojnë një shtet të ri”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se ambicia e tij është që deri në 2030 paga minimale të shkojë në 60 mijë lekë të reja.
“Kemi dyfishuar të ardhurat për frymë në Shqipëri. Ambicia ime është që brenda 2030 të kemi një pagë minimale të paktën 60 mijë lekë. Pavarësisht ngecjeve apo rrëzimeve gjatë rrugës, pa votën ndaj PS jo që këto nuk bëhen, por vendi kthehet sërish prapa, siç është kthyer sa herë që ata tjerët kanë marrë në duart e tyre duart e tij”, tha Rama.