Qeveria ka planifikuar lehtësimin e masave dhe hapjen për lëvizjen e qytetarëve gjatë kësaj faze të dytë të luftës me pandeminë e COVID-19.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në qytete të caktuara, ku ka një numër të ulët të të infektuarve, do të ketë lehtësim të madh të masave.
Kryeministri solli këtu shembullin e Gjirokastrës dhe të Dibrës, dy qytete që deri më tani nuk kanë asnjë rast infektimi.
Ndërsa në zona të tjera, si ajo e Krujës ku është rritur numri i të infektuarve, nuk do të ketë lehtësim të masave shtrënguese.
Ndërsa në dy rajonet më të mëdha të vendit, Tiranë dhe Durrës, do të ketë lehtësim të moderuar të masave shtrënguese.
“Virusi nuk ikën meqë ne rrimë mbyllur. Është mbrapa derës së secilit prej nesh. Deri kur të dalë vaksina ne do duhet të jemi çdo moment të vëmendshëm si individë, si familje dhe si shoqëri që të mos goditemi.
Ne nuk duhet të shkelim më në shtëpitë e njeri-tjetrit pa u zhdukur më parë ky armik. Por nga ana tjetër as nuk mund të rrimë mbyllur pafund.
Do të hapemi me kujdes, por nuk do të hapemi kudo njësoj. Po të shohim hartën e Shqipërisë kemi një pamje të qartë se vala e goditjes nuk ka qenë kudo e njëjtë. Nëse hapemi kudo njësoj dhe njëkohësisht, ne rrezikojmë ta zgjerojmë fushën e armikut. Do të hapemi kudo, por jo njësoj.
Në një zonë si Gjirokastra apo Dibra ku risku është shumë i ulët, mund të kemi më shumë lehtësim të masave, ndërsa në një zonë si Kruja për momentin asnjë lehtësim, apo në një zonë si Tirana apo Durrësi një lehtësim të moderuar.
Brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë lëvizjen në territorin përkatës. Edhe fashat orare nuk kanë pse të jenë njësoj si në zonat ato me risk të ulët me ato në risk të lartë”, deklaroi Rama.
Shefi i qeverisë sqaroi se lehtësimi i masave do të bëhet me dije më konkretisht për çdo qytet javën e ardhshme.