Kryeministri Edi Rama njoftoi në Facebook se të shtunën në 2 maj dhe të dielën, 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10:00, ndërsa të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare. Përveç pensionistëve, do të lejohen të dalin prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç, por nga ora 11:00 deri në orën 17:30.
“Të shtunën 2 maj do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17:30, të dielën të gjitha mbyllur. Gjatë të shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private”, shkruan Rama
“Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullit bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej”, thotë kryeministri Rama, i cili shton se ministrja Manastirliu do të informojë pasditen e sotme planin e mëtejshëm të hapjes deri në 18 Maj.