Kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste nuk e ka “luftë për jetë a vdekje” fitimin e zgjedhjeve vendore në gjashtë bashki, që do të mbahen më 6 mars.
“Ne jemi PS-ja, jemi kampionët që gjithmonë hyjnë për të fituar dhe nuk kanë rezultat tjetër veç fitores. Në këtë rast, janë zgjedhje për komunitetet, nuk do të bëjmë luftë për jetë a vdekje, në kuptimin e një beteje që do të mbulojë ekranet. Sigurisht do t’u bëjmë hyzmetin e nevojshëm këtyre zgjedhjeve. Por parashikimet që bënim bazoheshin tek analiza. Ne kemi një makineri analize, dhe këtë nuk kuptojnë ata që flasin për cenim të votës në Shqipëri. Vota në Shqipëri është më e lirë se çfarë ka qenë kurrë më parë”, tha Rama.
Kryeministri tha pas mbledhjes së kryesisë së partisë se është folur për nisjen e procesit për zgjedhjet vendore. Sipas tij, nuk do të ketë, të paktën në parim, deputetë që do të kandidojnë për bashkitë. “Sa i përket grave, ju e dini shumë mirë se mes një gruaje dhe dhjetë burrave, unë zgjedh gruan”, tha Rama.