Kryeministri Edi Rama i kërkoi SPAK-ut që të hetojë ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe Gërdecin, nëse janë, apo jo, siç tha ai, krime shtetërore.
Ai këmbënguli edhe një herë që drejtësia e re është e pavarur dhe se ai dhe PS nuk po i bën presion. “Po të mos ishte e pavarur nuk do të ishin sot prapa hekurave ish-ministra, ish-kryebashkiakë e ish-drejtorë të lidhur me partinë në pushtet”, tha Rama.
“Kjo drejtësi e pavarur duhet të çlirohet nga çdo frikë e të kaluarës, e më në fund të hetohet 21 Janari, të hetohet deri në fund nëse është apo nuk është krim shtetëror, i cili nuk parashkruhet. Të hetohet Gërdeci, janë dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur, të hetohen disa skandale të mëdha financiare, korruptive… Çfarë presioni është ky, çfarë ngutje është kjo? Sot jemi në fund të vitit të tretë të SPAK dhe nuk kemi folur. E dini shumë mirë farë furie balte hidhet mbi mua do 21 janar dhe unë i mirëkuptoj, duke përqeshur drejtësinë e re njerëz të cilët kanë qenë mbështetës së saj”.
Kreu i qeverisë flet edhe për familjarët e viktimave të 21 Janarit, për cilët thotë se rri me kokën ulur sa herë i takon çdo vit.
“Kjo pyetje nuk do të vinte sot në rast se ata do kishin bërë punën e tyre deri në fund. Por unë nuk mundet dot të rri e të pres çdo 21 Janar e të rri me kokën ulur përpara atyre njerëzve që vijnë e më shohin mua në sy. Ata nuk e thonë, por unë jam i bindur që ata e mendojnë që ja Edi Rama nuk e ka mendjen tek plaga jonë edhe ne jemi shitur nga të katër anët. Ky vend është interesant shumë. Sa më urtë të jesh aq më kollaj të godasin e të japim mend. Sa më shumë të bësh rolin e qenit aq më shumë të thonë prit mos e ngacmo se do lehë më fort”, deklaroi Rama.