Kryeministri Edi Rama shprehet i indinjuar lidhur me aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për krime lufte.
Në një postim në “Facebook”, kreu i qeverisë theksoi se do të jetë deri ne fund në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për Kosovën e lirë.
“Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time! Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës! RROFTË KOSOVA dhe sot më shumë se kurrë NDERIM UDHËHEQËSVE TË LUFTËS ÇLIRIMTARE.”
Thaçi anuloi pjesëmarrjen e tij në Uashington, në takimin me Serbinë, të planifikuar më 27 qershor.