Kryeministri Edi Rama është shprehur se vendi nuk ka ende arsye që të mbyllet.
Kreu i qeverisë tha nga Rinasi, ku bashkë me ministren e Shëndetësisë po presin dozat e vaksinave nga Pfizer, se ende nuk ka asnjë arsye që vendi të mbyllet pasi shifrat vijojnë të jenë në ekuilibra dhe spitalet funksionojnë sipas skenarëve të përcaktuar më herët. Po ashtu ai tha se tani pritet një pandemi psikike, pasi problemet e mbylljes janë shumë të mëdha.
“Nuk ka arsye përse të mbyllemi. Për 1 mijë e 1 arsye që i kam dëgjuar nga ekspertët tanë dhe nga ekspertë që komunikoj për të mësuar. Gjithmonë e më shumë po fiton terren shqetësimi i një tjetër pandemie që është pandemia psikike. Është reale kjo nuk është për të qeshur. Efektet traumatike gjatë gjithë kësaj kohë kohe tek psikika e kësaj dynjaje. Duhet ta kemi parasysh që kur një vend evropian që mbyllet nga një kontro evropiane që përgjigjet. Është kollaj të themi hajt ta mbyllim, por pse duhet ta mbyllim? Kur numrat qëndrojnë brenda ekuilibrave dhe në spitale vijon puna me kapacitetet sipas skenarëve nuk ka arsye që të mbyllet. Arsyetimi i Komitetit tonë Teknik është tërësor dhe jo thjesht mekanik e të themi hajde ta mbyllim”, tha Rama.
Ndërkohë, që prej fillimit të shkurtit, Covid-19 është duke shënuar një numër të lartë viktimash, ndërsa kapacitetet në spitalet Covid në kryeqytet janë ezauruar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 12 persona, gjysma e të cilëve banorë të kryeqytetit dhe 1 qytetar nga Elbasani, 1 nga Lushnja, Mati, Vlora dhe Fieri të moshës 50 deri në 76 vjeç.