Aktualitet Rama: Nuk ka vetting për pedagogët

Rama: Nuk ka vetting për pedagogët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të enjte në rrjetet sociale në lidhje me protestën e pedagogëve. Kreu i qeverisë thotë se protesta e një pakice pedagogësh po paraqitet si masive nga mediat. Sipas tij, nuk ka për t’u bërë asnjë vetting ndaj pedagogëve dhe kjo gjë as nuk është menduar.

“Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh, nën udhëheqjen e nongratave e të SHIK-save të tyre, flasin për gjoja një veting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar”, shprehet Rama.

Kreu i qeverisë tha se rritja e pagave për pedagogët nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme.

“Sa për rritjen e mëtejshme të pagave e përsëris, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme, pas pensionistëve në fundvit dhe pas daljes së dimrit, kur do të bëjmë bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria”, shprehet Rama.

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar për mbajtjen e një protestë kombëtare paraditen e së enjtes. Pedagogët kërkojnë rritje të pagës në masën 50% brenda 2 viteve dhe investime në arsimin e lartë. Kërkesat e tyre për një rritje të tillë pagash janë konsideruar të paarsyeshme nga qeveria.