Kryesore “Rama ofron një çarçaf të arnuar”, Basha kundërsulmon: Lista e PS me...

“Rama ofron një çarçaf të arnuar”, Basha kundërsulmon: Lista e PS me figura pa integritet

Pas sulmeve të Edi Ramës, Lulzim Basha i është kthyer me të njëjtën monedhë duke sulmuar listën e mazhorancës. Basha tha duke se emrat që e përfaqësojnë listën e PS janë pa integritet. Kreu i demokratëve përmendi 3 emra, që sipas tij janë të lidhur me krimin e organizuar dhe bandat. Kreu i opozitës u shpreh se pas 8 vitesh, kryeministri Rama ofroi një “çarçaf të arnuar poshtë të cilit gëlojnë hajdutët e mëdhenj”.

“Nuk do të jetë një betejë e lehtë jo vetëm për faktin sepse kryeministri në ikje e ka vënë përsëri bastin tek njerëzit pa integritet, tek njerëzit që edhe në kohë pandemie kanë vjedhur bukën e fëmijëve. Pa largimin e Edi Ramës nuk ka ndryshim. Nuk ka të ardhme me Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij që kanë grabitur qindarkat e fundit. Diku edhe nuk i ka shpëtuar dot mundësisë për të ngritur një fasadë. Kudo duket dora e krimit dhe e bandave. Mjafton të shohim qarkun e Durrësit, kandidatin e Avdylajve, Çyrben e famshëm të përgjimeve të Bildit. Kandidatin e bandave të tjera të Shijakut dhe Durrësit, Ndrazhin gojëkyçur dhe Rrahman Rrajen, emër tashmë i njohur edhe ndërkombëtarisht për ato që përfaqëson. Po përmend këto 3 emra, por shumica janë fshehur pas fytyrave anonime që përfaqësojnë këto klane kriminale. Kjo është Shqipëria e të ardhmes. 8 vjet në pushtet kjo ka qenë oferta e Ramës. Prandaj jemi sot këtu. Pas 8 vjetësh ajo që ai ofron është një çarçaf i arnuar poshtë të cilit gëlojnë hajdutët e mëdhenj të ekonomisë shqiptare dhe bandat e krimit të organizuar”.

Basha tha se lista e PD-së përmban emra të njohur në fusha të ndryshme.

“Na bashkon një gjë, të jemi energjia dhe shpresa e kthyer në realitet e çdo shqiptari që pas 25 Prillit ndryshimi do të jetë i prekshëm për të gjithë shqiptarët”, tha Basha.