Tashmë është zyrtare. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 40%, ndërsa për arsimtarët 15%. Kryeministri Edi Rama përmes një konference përkrah ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe asaj të Financave, Anila Denaj tha kjo rritje vjen pavarësisht dy goditjeve që ka pësuar vendi duke pasur parasysh tërmetin dhe situatën e pandemisë.
Kryeministri u shpreh se këto dy sektorë janë jetike për vendin për të sotmen dhe për të ardhmen.
“Japim zyrtarisht lajmin për rritjen e pagave për të gjithë bluzat e bardha dhe për arsimtarët. Janë dy kategori që meritojnë gjithmonë më shumë dhe që në këto kushte pavarësisht të gjithë shtrëngesave krijuar nga dy goditje të mëdha njëra pas tjetër, tërmeti dhe Covid-i kemi detyrimin që t’u japim sot një mbështetje të fortë për të shpërblyer mundin profesionalizmin angazhimin me dy kategori shoqërore, një kategori e lëvizshme shoqërore fatmirësisht.
Nga ana tjetër për të nxitur më tutje motivimin dhe përmes motivimit një cilësi në rritje të këtyre dy shërbimeve absolutisht jetike për të sotmen dhe të ardhmen. Do të them që paga për bluzat e bardha do të rritet 40%. Është padyshim rritja më e madhe historike për bluzat e bardha. Paga për arsimtarët do të rritet 15%”, tha Rama.
Rritja e pagës do të hyjë në fuqi nga 1 Janari. Kreu i qeverisë gjithashtu bëri të ditur se në javën e ardhshme do të komunikojë ndryshime të tjera që lidhen me taksimin e ndershëm.
“Javën e ardhshme do të komunikojmë edhe ndryshime të tjera që lidhen me taksimin e ndershëm në funksion të lehtësimit të asaj pjesë të shtresës së mesme që është në piramidën e taksimit për të ardhurat personale dhe për pagat minimale që do të hyjnë në fuqi në Janar”, tha Rama.