Viti i ardhshëm i sezonit turistik veror do të funksionojë përmes rregullave të tjera. Bëhet fjalë për organizimin e vijës së plazhit, hapësirave publike e vendosjes së shezloneve.
Këtë e ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama në podcastin e të shtunës ku foli për industrinë e turizmit.
Kështu, Rama u shpreh se leja për shezlonet nuk do të jepet për këdo. Sipas tij, shezlone do të marrin vetëm hotelet, dhe këto sipas kapaciteteve të numrit të dhomave që kanë.
“Ata të shezloneve këtë vit e bënë me sukses kryerjen e misionit të tyre të ardhurit në majë të hundës të gjithë popullit, kështu që vitin tjetër ne do të ndryshojmë sistemin dhe nuk do të lejojmë më shezlone, përveç se për ata që kanë hotele. Dhe jo vetëm përveç se ata që kanë hotele, nuk mund të jepen leje plazhesh për të ardhur një individ dhe për të thënë dua këtë plazhin këtu e do vë një beach bar e do vë shezlone. Mund të vësh një beach bar, por nuk ke për të vënë shezlone. Mund të kesh një restorant, por nuk ke për të vënë shezlone. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri-tjetrin është i pamundur.
Nuk mund të kesh hotel me 40 dhoma edhe të kesh 200 shezlone e të marrësh popuj aty e t’i detyrosh të paguajnë. Jo! Ti do vësh shezlone për aq sa ke kapacitetin, jo 1 për dhomë dhe do lësh distanca të tjera”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Gjithashtu, do të caktohet një kufi deri ku mund të vendoset shezlonet, jo deri në vijën e detit pa lënë hapësirë për qytetarët.
“Tjetra, nuk mund t’i çosh shezlonet deri te bregu i ujit që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur. Kështu do krijojmë një fashë të hapësirës publike”.
Një aspekt tjetër i këtyre masave do të jetë krijimi i hapësirave publike në plazhe që do të administrohen nga bashkitë ku qytetarët mund të qëndrojnë me çadrat e tyre kundrejt një tarife minimale.
“Tjetra, do ta fillojmë me bashkitë që bashkitë të marrin hapësira dhe të vendosin bashkitë çadra e aty ku është e arsyeshme dhe shezlone por me një çmimi tavan të detyruar. Të kenë mundësi njerëzit të vijnë me çadrat e tyre dhe ata të paguajnë një shumë minimale sepse duhet për të pastruar, duhet çliruar komplet kjo mushkëri e detit dhe rërës nga gjithë këto insekte që e sulmuan rëndë këtë vit”.
Në mbyllje të vitit 2024, qeveria shqiptare pret që vendi të ketë 13 milionë turistë.