Në ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit kryeministri Edi Rama ka deklaruar se parlamenti nuk jep vendime gjyqësore. Gjithashtu ai shtoi se as kryeministri apo ministri i Drejtësisë nuk mund të ngrenë akuza penale. Për Ramën, kjo është detyrë e pushtetit gjyqësor.
“Nuk jemi sot në kohën kur politika, partia apo partitë që qeverisin, qeveria vetë apo kryeministri, mund të bëjë atë që i takon drejtësia. Parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jepen vendime gjyqësore. Qeveria nuk bën rolin e prokurorisë dhe as ministri i Drejtësisë, as kryeministri nuk mund të ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së artisë. Është drejtësia që i bën të gjitha këto, pushteti gjyqësor, një prej 3 pushteteve kushtetuese në një sistem demokratik dhe krejt i pavarur qoftë nga pushteti legjislativ, qoftë nga pushteti ekzekutiv”, tha Rama.
Rama u shpreh se qeveria nuk ka qëndruar duarkryq, por ka bërë punën e saj për të siguruar një sistem drejtësie që do të mund të bëjë sipas tij drejtësi për 21 Janarin dhe jo vetëm.
“Shumëkush e konsideron këtë si përpjekje për të justifikuar faktin që ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet për të vënë në vend secilin nga pjesëmarrësit në atë tragjedi, për të vënë në vend të drejtën e padiskutueshme të të gjithë të afërmve, fëmijëve prindërve, motrave dhe vëllezërve dhe përtej tyre, të katër dëshmorëve të 21 Janarit dhe për të vënë në vend atë që në fund të fundit e materializon një proces drejtësie. Të drejtën e reflektuar tek ndëshkimet. Në fakt ky nuk është një justifikim, kjo është e vërteta dhe ajo që e dallon qartësisht këtë të vërtetë thënë kështu nga ne, me të njëjtën të vërtetë të thënë në kushte të tjera është se ne nuk kemi ndenjur duar kryq, përkundrazi, nëse nuk jemi ne përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ që mund të bëjmë prokurorin dhe gjykatësin, jemi ne që kemi detyrimin për të siguruar të gjithë ngrehinën ligjore dhe rregullatorë të një sistemi drejtësie që të jetë në gjendje të bëjë këtë që njerëzit kërkojnë për 21 Janarin dhe jo vetëm 21 Janarin”, tha Rama.