Kryesore Rama: PD-ja si hienat, abuzoi me historinë e familjes Cakoni

Rama: PD-ja si hienat, abuzoi me historinë e familjes Cakoni

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me historinë e familjes Cakoni, ku nëna, Manjola, denoncoi disa ditë më parë se ishte braktisur nga qeveria. Sipas kreut të qeverisë, Partia Demokratike ka abuzuar me këtë familje, që në tërmetin e 26 Nëntorit humbi babain dhe vajzën.

Rama e krahason Partinë Demokratike me hienat, ndërsa shton se tallen me njerëzit e lënduar nga ajo tragjedi e vitit të kaluar.

“Neveritem kur shoh sesi hiena që e ka vendin në kategorinë më të ulët të kafshëve të pyllit shfaqen në formën e përfaqësuesit politik dhe ha mish njeriu duke i ftuar të gjithë në një orgji mishi dhe dehje me demek ndjenjën e solidaritetit dhe keqardhjes, por jo. Ky është shpërdorim, përdhunim i njerëzve”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se e ka pritur me keqardhje denoncimin e Partisë Demokratike. Ndër të tjera, ai shton se media duhet të kishte hulumtuar për familjen Cakoni dhe do të zbulonte se qeveria i ka mbajtur premtimet që ka bërë.

“E kam përjetuar me keq ardhje dhe një ndjenjë neverie abuzimin e të ëmës së Alesios, e cila është një nënë dhe grua e lënduar psikologjikisht, shpirtërisht nga një tragjedi që nuk kalon kurrsesi pa lënë gjurmë. Mendoj se etika e medias dhe për më tepër e politikës duhet ta ndalojë hedhjen e nxituar të hapave të tillë për të konsumuar në publik njësoj si në një restorant, në një klub, mjedis ku hahet mish, mishngrënie e njerëzve në nevojë, e njerëzve në sekëlldi, e të traumatizuar dhe duhet t’u referohet fakteve. Po të ishte shumë njerëzore do të ishte e lavdërueshme nga pikëpamja etike ku pa e akuzuar, pa e dhunuar imazhin fizik, praninë fizike në tregun e gjësë së gjallë mediatike dhe politike të hulumtoheshin faktet dhe të shiheshin nëse unë dhe qeveria i kemi braktisur apo i kemi qëndruar pranë jo vetëm Manjolës dhe Alesios, por të gjitha familjeve. Nëse shihen faktet duke iu referuar dokumenteve që tregojnë aplikimin në praktikë të gjithçkaje që kemi marrë përsipër nuk do të ishte nevoja të arrinim deri këtu”, tha Rama.

Sipas qeverisë, Manjola Cakoni ka përfituar një banesë dhe për këtë bëri publike një dokument ku thuhet se ajo është bërë pronare e një apartamenti në Kamëz. Ndërkohë, djali i saj, Alesio Cakoni është trajtuar me psikolog si dhe ka fituar bursë.