Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale, pas atyre që kryetrari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i quajti thirrje antikushtetuese të ish-Kryeministrit Sali Berisha.
“Për vezët e për glasat e kotecit të Saliut unë rroj 1mijë vjet, po më vjen të qaj për shthurjen verbale, që ai dhe kakërdhitë e tij u kanë ngjitur plot të rinjve dhe të ulëras për Shqipërinë, që turpërohet ekraneve të Europës me pamjet e parlamentit të kthyer në një shoë pularie”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Nga foltorja e parlamentit Berisha paralajmëroi shumicën të pranonte amendamentet kushtetuese për vetting-un në politikë, ose përndryshe do të shkundeshin nga karriget.
“Edhe një herë ju bëj thirrje, momenti është kritik. Ju them se mund të bëni një gabim, më të rëndin që keni bërë ndonjëherë, nëse përdorni kartonët e zinj, të nxira të krimit siç i keni, në rast se ju përdorni sot këtu diktatin e krimit, si përfaqësues të tij, për të hedhur poshtë këtë amendament, i cili do të bënte historinë për shqiptarët. Për ndryshe, ju garantoj se forca do t’ju shkundë nga kjo karrige. Për ndryshe bëhuni gati në rrugë dhe në sheshet e Shqipërisë do të ushtojë, ‘o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri.’ Kjo do jetë”, kërcënoi Berisha.