Situata politike në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Pas RaiNeës kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazeta italiane, “La Repubblica” lidhur situatën ku ndodhet vendi, e sidomos mbi mënyrën se si do të funksionojë parlamenti pasi opozita zyrtarizoi djegien e mandateve.
Kryeministri Rama i është përgjigjur edhe pyetjes mbi deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha i cili është shprehur se e vetmja mënyrë për ta eleminuar atë është plumbi. Rama tha se ndaj tij, Berisha ka thënë shumë më shumë se kaq. “Është penduar që s’më ka vrarë kur ishte në qeveri”, tha Rama.
Pjesë nga intervista:
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë prej vitit 2013, a ndiheni i rrethuar?
S’bëhet fjalë. Kjo nuk është një protestë e popullit. Nuk janë as jelekëverdhë, as sindikalistë, as studentë. Nuk janë as anarkistë! Është vetëm një pjesë e polotikës që ka zbritur në shesh, pak për pushtet e pak nga frika.
Frikë nga çfarë?
Frikë se mos shfarosen definitivisht. Është një e djathtë e vjetër, që u dërgua në shtëpi 5 vjet e gjysmë më parë nga votat e shqiptarëve. Tashmë i druhen reformës në drejtësi që po bëjmë me Bashkimin Europian për të luftuar korrupsionin, kancerin e vërtetë të këtij vendi. Prokurorë, gjyqtarë dhe funksionarë të tjerë të korruptuar do ikin të gjithë! Këtë kanë frikë ata.
Në shesh kërkojnë dorëheqjen tuaj. Dhjetëra-mijëra persona. Ju thoni se as nuk e mendoni dorëheqjen. A jeni i sigurt se do t’ia dilni të ecni përpara?
Imagjinoni sikur të ndodhte në Itali, kjo që po ndodh tek ne, deputetët e opozitës dorëzojnë mandatet dhe braktisin parlamentin. Pastaj i kërkojnë qeverisë së zgjedhur nga populli që të largohet. Kjo nuk është demokraci, është tirani e minorancës. Ne kemi marrë një detyrë nga populli dhe do ta respektojmë.
Më falni por është një situatë anormale, sidomos për një kryeministër socialist e progresist, një parlament pa opozitë?
Për demokracinë parlamentare sigurisht nuk është gjë e mirë, por teknikisht mund të ecim përpara, nuk ka asnjë problem.
Kush dhe çfarë qëndron pas protestave dhe sulmeve kundër jush. Në shesh ishin shumë të papunë, njerëz të varfër.
Të gjitha bashkitë e administruara nga të djathtët, të enjten ishin mbyllur. Liderët e opozitës i sollën në protestë të bënin figurantët poshtë parlamentit. Janë 3-4 mijë persona që varen nga të djathtët. Paguhen për të ardhur në protestë. Por unë jam nga ata që kanë patur gjithmonë respekt për protestat, i dëgjoj të gjithë.
Për shumë njerëz, ky kaos duket si luftë për pushtet. A është kështu?
100% po.
A është e vërtetë që sheshi manovrohet nga armiku juaj historik Berisha?
Armiqtë e mi historikë janë injoranca dhe vulgariteti. Dy gjëra që nuk i duroj dot. Berisha është gjithmonë aty, ai është shefi dhe Basha është administratori i deleguar.
Ish-presidenti (Berisha) ka përdorur fjalë shumë të rënda kundër jush. Tha se njerëzit mund t’ju hedhin në lumë dhe se e vetmja mënyrë për t’ju eliminuar është plumbi.
Ka thënë edhe me keq se kaq. Është penduar që s’e ka vrarë kur ishte në qeveri. Kështu është ai, dhe unë nuk i përgjigjem. Dikush më ka thënë më keq se komunistët janë komunistët antikomunistë. Berisha ka qenë shërbëtori i parë i pushtetit komunist dhe pastaj u bë antikomunist. Për fat të mirë nuk jemi më në epokën e plumbave, por në epokën e dialogut dhe përballjes. E refuzoj logjikën sipas të cilës, armiku duhet asgjësuar për të fituar lojën.