Në aktivitetin informues të mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimin e tyre online, kryeministri i vendit Rama ka folur gjithashtu edhe për sfidat që ka pasur Drejtoria e Përgjithshme e Trasportit Rrugor.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është ndalur dhe tek momenti kur inspektimi gjerman për njohjen e lejeve të drejtimit në Gjermani ka qenë pozitiv.
Rama tregon se inspektorët gjermanë ishin të shokuar pasi nuk e prisnin atë lloj realiteti.
Edi Rama: Është një ditë e shënuar e administratës tonë me dy shembuj, një është ai i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor që përbën një burim shumë domethënës informacioni dhe patjetër eksperience për këtë proces transformues që e çon administratën nga një makineri e shtrirë në territor me zyra, me njerëz, radha e kështu me radhë, në një instrument në shërbim të çdo qytetari. Është një transformim i jashtëzakonshëm. Deri përpara këtij procesi ishte e paimagjinueshme që Gjermania, shteti më strikt në Europë të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë, të cilat buronin nga një proces i pagjurmueshëm. Në të gjithë procesin e dhënies së lejeve të drejtimit ka pasur që janë dhënë në mënyrë të rregullt, por ka pasur dhe të tjera që janë dhënë në mënyrë të parregullt. Kjo e bënte të pamundur që Gjermania të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë.
Më kujtohet fare mirë kur e kam ngritur për herë të parë këtë çështje, i gjithë rreshti i palës gjermane u rrudh në fytyrë sepse ishte një kërkesë e pakuptueshme për ta se si mund të pretendonte Shqipëria të kishte barazi në këtë aspekt. Pastaj duke e ditur se kemi bërë një progres, ne insistuam që të vinte një inspektim dhe ka qenë një ndër momentet e krenarisë sime kur inspektimi doli pozitiv dhe inspektorët gjermanë ishin të shokuar sepse nuk e prisnin atë lloj realiteti.