Politika Rama për opozitën: Shqipëria, në rrezik për t’u kthyer pas në kohë

Rama për opozitën: Shqipëria, në rrezik për t’u kthyer pas në kohë

Kryeministri Edi Rama, në nisje të fjalimit të tij në Kongresin e PS, i ka kushtuar disa rreshta opozitës, ndonëse nuk e përmendi me emër në mënyrë të drejtpërdrejt.

Në këtë kuadër, nisur nga ajo se çfarë po ndodh në Kuvend dhe jo vetëm, Rama dha se Shqipëria gjendet përballë një rreziku të madh, atij të kthimin pas. Dhe kur flet për kthim pas, e ka fjalën për rikthimin në pushtet të Partisë Demokratike, sipas së cilit do e çonin vendin në një regres të menjëhershëm.

“Shqipëria nuk është jashtë rrezikut të rikthimit mbrapa, nëse ne nuk do të fokusohemi me forcën e ambicies, te krijimi i garancive të progresit pa kthim dhe pa ndalim. Merrni me mend se çfarë ju shikojnë sytë rrotull, sikur ne të mos jemi këtu dhe të tjerë të jenë në vendin tonë dhe se me çfarë shpejtësie vjen ky regres”, u shpreh Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se PS mori qeverisjen në 2013, kur vendi ishte i mbytur në borxhe, varfëri e korrupsion, e ndërsa sot gëzon respekt në sytë e gjithëbotës.

“Sot kemi shpalosur ambicien dhe prioritetet më kryesore të zhvillimit, në vijim të përpjekjes së drejtpërdrejtë për ta ngritur Shqipërinë 2030 në majën ku duam të shkojmë. Morëm në kurriz një vend të zhytur në borxhe e varfëri, korrupsion, krim të organizuar, por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit dhe në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin e Shqipërisë. Në këtë dekadë kemi punuar shumë në çdo front dhe kemi luftuar me mijëra plagë të trashëguara dhe me plagët e jashtëzakonshme të fatkeqësive të reja që na sprovuan njëra pas tjetrës. Falë PS të treja furtunat dërrmuese na gjetën në këmbë dhe na gjetën të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Parapërfytyroni sikur tërmeti të na kishte gjetur me borxhet e 2013, sikur pandemia të na kishte gjetur me spitalet e vitit 2013, apo pa platformën shërbimeve digjitale, sesi do kishin shkuar gjërat”, shtoi ai.

Për këtë, Rama renditi 3 garanci që i duhen për të çuar vendin përpara.

“Na duhen 3 garanci, një vend i gatshëm për BE, një shtet ku fryma e modernizimit të hyjë në të gjitha venat dhe një forcë qeverisë së e përkushtuar ndaj kapitalit të qeverisë”, tha Rama.