Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Kosovës për reciprocitetin e targave me Serbinë. Rama thotë se Kosova e ngre problemin me plot të drejtë.
Megjithatë ai shton se problemi duhet të zgjidhet dhe të shmanget bumerangu i ngrirjes së konfliktit siç ndodhi me tarifën 100%.
Sipas Ramës, Kosova duhet që të dialogojë, Serbia duhet të bashkëpunojë dhe BE-ja duhet të ndërmjetësojë.
“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, tha Rama.
Duke nisur nga e hëna, të gjitha automjetet serbe do mund të hyjnë në territorin e Kosovës vetëm nëse vendosin një targë të përkohshme të lëshuar nga autoritetet kosovare. Vendimi është nënshkruar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe vjen si një masë reciproke nga qeveria e Kosovës ndaj të njëjtit rregull që zbaton prej kohësh edhe Serbia ndaj makinave me targa kosovare.
Sipas këtij vendimi pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës kundrejt pagesës së një takse prej 5 Euro. Targat e përkohshme duhet të vendosen në vende të dukshme dhe ato kanë një vlefshmëri të përkohshme prej 60 ditësh.
Kryeministri Albin Kurti në një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it këtë të martë ka thënë se nuk heq dorë nga reciprociteti për targat. Sipas tij ose të dyja palët kanë të drejtë ose e kanë gabim. Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se Kosova duhet të tërheqë forcat speciale nga Veriu duke kërkuar edhe ndërhyrjen e Bashkimit Europian.